Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë që demarkacioni mes Malit të Zi dhe Kosovs ka marrë fund.
Kështu i është përgjigjur Abazoviq kërkesës së kryeministrit Albin Kurti lidhur me shqyrtimin e demarkacionit.
“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë Abazoviq për Klan Kosova.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në katër vjetorin e miratimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, kishte deklaruar se shumë shpejt Mali i Zi do të ketë një Qeveri të re, me të cilën do mund të bisedohet për dallim nga Qeveria paraprake, që kishte përbrenda elemente pro ruse.
“Shpresojmë që së shpejti Mali Zi do të ketë Qeveri të re, me të cilën do të mund të bisedojmë, ta trajtojmë edhe këtë çështje për dallim nga Qeveria paraprake, e cila kishte përbrenda elemente pro ruse përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë”, kishte thënë Kurti në mars të këtij viti. /Telegrafi/