Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi Instituti GAP publikoi raportin ku thuhet se realizimi i investimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, është më i ulëti në dekadën e fundit.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se “fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë”.
“Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon. E në mungesë të projekteve kapitale, le të mjaftohemi me foto shëtitëse, arrogancë qeverisjeje e arsyetime të 20 viteve të shkuara. Është më e lehtë kjo”.
Tutje, i pari i LDK-së ka kritikuar Qeverinë duke thënë se po kalon viti i dytë qeverisës dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë.
“As edhe një shenjë e lënë. Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot? Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane – nuk kanë filluar as edhe në letër. Dhe për aq sa merr kohë një projekt të nis e përfundojë, edhe dy verat e ardhshme të këtij mandati do të shkojnë pa asnjë shenjë të lënë”.
Mes tjerash, ai është shprehur se Kosova ka nevojë për zhvillim. E sipas tij, zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transaksione bankare të skemave sociale.
“S’është ekonomia kaq e thjeshtë e shteti s’është vetëm bankë. Kosova megjithatë ka nevojë për projekte të guximshme dhe të mëdha; për investime kapitale në spitale, shkolla, infrastrukturë rrugore, stadiume, salla kulturore e në energji – në pothuajse çdo fushë të jetës publike”.