Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se nuk pret që të ketë ndonjë zgjidhje politike deri më 26 korrik, datë deri kur Gjykata Kushtetuese ka udhëzuar se duhet të përfundoj konstituimi i Kuvendit.
Ai kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se kjo parti “nuk sheh nguti për të bërë zgjidhje politike” dhe se përmes “uzurpimit të ulëses së Kuvendit” nuk i lejon hapësirë zhvillimit demokratik dhe fjalës së lirë të deputetëve.
Abdixhiku tha se pas përfundimit të afatit 30-ditor do të kërkohet një interpretim i ri nga Gjykata Kushtetuese.
“Është e qartë se nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit, do të ketë shkelje të përcaktimeve të Gjykatës dhe duhet një interpretim i ri, pasi nuk është përcaktuar çfarë do të ndodhë më pas”, tha ai.
Ngërçi politik vazhdon edhe pse Gjykata Kushtetuese detyroi deputetët të përfundojnë seancën konstituive deri më 26 korrik.