Roman Abramovich kërkon një minimum prej 3 miliardë paundësh për të shitur Chelsean teksa ka hapur garën se kush ofron më shumë për klubin.
Qarkullon një teori se mund të ketë një blerës amerikan, me anë të një fondi mbrojtës, por kjo zgjidhje duket se po largohet, për shkak të lidhjeve të Abramovich me regjimin rus që po shkakton masakra në Ukrainë.
Një miliarder zviceran, Hansjorg Wyss, ka pohuar se atij i është ofruar mundësia për t’u bashkuar me një konsorcium me gjashtë ose shtatë investitorë të tjerë për të blerë Chelsea-n për shumën 2 miliardë stërlina. 86-vjeçari, me një pasuri që vlerësohet rreth 4.3 miliardë stërlina, ka pranuar se është i interesuar të blejë klubin nga Roman Abramovich, por vetëm si pjesë e një konsorciumi.
Miliarderi ruso-izraelit, Abramovich, ka shprehur publikisht dëshirën për të mbajtur pronësinë e Chelsea-t, por kjo mund të jetë pothuajse e pamundur nëse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar vendos sanksione ndaj 55-vjeçarit.
Wyss ka pranuar se do të shqyrtojë detajet e çdo marrëveshjeje të mundshme për të blerë Chelsea-n, me çmimin e kërkuar që mendohet të shkojë përtej 2 miliardë stërlina.
‘Abramoviç po përpiqet të shesë të gjitha vilat e tij në Angli, ai gjithashtu dëshiron ‘të heqë qafe’ sa më parë Chelsea-n’, – tha Wyss për gazetën zvicerane ‘Blick’. – ‘Unë dhe tre persona të tjerë morëm një ofertë të martën për të blerë Chelsea-n e Abramovichit. Më duhet të pres katër deri në pesë ditë tani. Abramovich aktualisht po kërkon shumë. E dini, Chelsea i detyrohet atij 2 miliardë stërlina, por Chelsea nuk ka para’.
Abramovich u përpoq të tërhiqej nga administrimi i Chelsea-t të shtunën, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Manjati rus u përpoq t’ia linte administrimin e Chelsea-t administratorëve të fondacionit bamirës të klubit, por disa nga administratorët ngritën shqetësime mbi çështjet teknike.