Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, do të ulet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Posaçme, si i akuzuar për abuzim me procedurë tenderuese me vlerë gati 70 milionë lekë të rinj.
Kjo gjykatë vendosi të martën të kalojë për gjykim çështjen penale ndaj kryebashkiakut dhe gjashtë të bashkëpandehurve të tij, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti dhe Rudin Gjoni, të gjithë të akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”.
Gjatë shqyrtimit paraprak, Beci ka kërkuar të gjykohet me kohë të shkurtuar, vendim që do të merret në seancën e parë të gjykimit në themel. Kryebashkiaku i Shkodrës akuzohet nga SPAK për shkelje të ligjit me një procedurë tenderuese të dhjetorit 2019, kohë kur mbante detyrën e administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.
Një hetim i nisur kryesisht nga SPAK, ngriti dyshime për shkelje në procedurën e një tenderimi për një projekti kërkimor, me vlerë 69.5 milionë lekë.
Sipas SPAK, i pandehuri Benet Beci, në detyrën e administratorit të KESH, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe e privilegje të padrejta për shoqërinë që fitoi tenderin.
Kryebashkiaku i Shkodrës është hetuar pa masë sigurie nga SPAK dhe kalimi i dosjes në gjyq, nuk crnon ushtrimin e detyrës së ti si titullar i bashkisë Shkodër.


