Administrata e presidentit në largim të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, verën e kaluar refuzoi një mundësi për të blerë miliona doza shtesë të vaksinës së kompanisë “Pfizer” kundër koronavirusit. Ky vendim mund ta shtyjë shpërndarjen e grupit të dytë të vaksinave derisa prodhuesi t’i plotësojë kontratat tjera ndërkombëtare.
Zbulimi i këtij vendimi, i raportuar së pari në gazetën “The New York Times” dhe më pas i konfirmuar edhe nga agjencia “Associated Press”, u bë vetëm një ditë para se Trumpi synoi të merrte merita për zhvillimin e shpejtë të vaksinave në një samit të Shtëpisë së Bardhë.
Vaksina e kompanisë “Pfizer” pritet të miratohet nga një panel i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve gjatë kësaj jave. Në muajt e ardhshëm, pritet që në Shtetet e Bashkuara të shpërndahen 100 milionë doza të kësaj vaksine, të mjaftueshme për 50 milionë amerikanë.
Sipas një kontrate më këtë kompani, administrata e Trumpit u zotua që të blejë fillimisht 100 milionë doza të vaksinës, me mundësinë që ta blejë pesëfishin e tyre. Këtë verë, Shtëpia e Bardhë vendosi që të mos blejë 100 milionë doza shtesë gjatë çerekut të parë të vitit të ardhshëm, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express. Lajmin e bënë të ditur disa zyrtarë që folën në kushte anonimiteti.
Vaksina e “Pfizer”-it është një nga dy vaksinat që janë në rrugë për ta marrë miratimin e rregullatorit amerikan këtë muaj. Vaksina tjetër është zhvilluar dhe prodhuar nga kompania “Moderna”.
Sipas rezultateve të testimit në njerëz, të dyja këto vaksina janë treguar 95 për qind efektive. Të dyja ilaçet kanë edhe sfida gjatë përdorimit, përfshirë ruajtjen, shpërndarjen dhe administrimin e tyre.