Alfred Karaj, administratori i gurores në Borizanë të Fushë Krujës që u bë “mollë sherri” mes fiseve Rraja dhe Maja, ka thënë në studion e emisionit Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus se me fisin Maja kanë tentuar të gjejnë një zgjidhje përmes bisedimeve por kjo nuk është arritur.
Sipas tij, ai nuk e kupton reagimin e Bilbil Majës kundër gurores, kur vetë ka qenë i punësuar me autobot.
Alfred Karaj tregon se Bilbil Majën e ka pasur të punësuar kohët e fundit dhe e paguante 70 mijë Lekë për një autobot, ndërsa thotë se ai u largua vetë nga puna në gurore.
Alfred Karaj: Jemi takuar disa herë, kemi biseduar gjatë e gjatë. Problemi qëndron që nuk është çështje që ata i dëmton gurorja, është diçka tjetër, sepse unë jam ulur, jam marrë vesh si me Bilbilin edhe me Jasharin, jemi ulur, kemi diskutuar, kemi rënë dakord. Me Bilbilin rashë dakord për një vend pune për një autobot uji, sepse shtëpia e Bilbilit është 800 metra larg. Nuk ka lidhje Bilbili me guroren që del i pari gjithmonë duke kërcënuar punonjësit, duke më goditur punonjësit.
Spartak Koka: I ka goditur? Është e vërtetë?
Alfred Karaj: Po, Bilbili më ka goditur inxhinierin, ka rreth 1 muaj e gjysmë, i ka thyer telefonin, syzet. Për këtë që flas unë kam dhe dëshmitarë, punonjësit që kanë qenë aty, se kanë qenë 4-5 veta.
Spartak Koka: Po pse e ka goditur?
Alfred Karaj: E ka goditur se ke bërë plasje të fortë.
Spartak Koka: Keni bërë denoncim?
Alfred Karaj: Jo nuk kemi bërë.
Spartak Koka: Po ju thatë keni folur, keni gjetur gjuhën e komunikimit.
Alfred Karaj: Jemi munduar që të gjejmë gjuhën miqësore.
Spartak Koka: Nuk e keni gjetur se për sa kohë kemi ardhur në një konflikt që ka percipituar nuk e keni gjetur. Çfarë ka ndodhur ditët e fundit përpara se sa të shkojmë te data 6? Cili është versioni juaj?
Afred Karaj: Si mundet Jashar Maja ose Bilbil Maja të vijë të punojë në guroren time si punonjës kur unë i prish shtëpinë? Se ai tani ka hyrë punonjës. Muajin tjetër ka filluar me 15, më datë 3 Korrik e la punën. Bilbili ka qenë punonjës i kësaj firme.
Spartak Koka: Mbani përgjegjësi për këto që ju thoni?
Alfred Karaj: Po, mbaj përgjegjësi patjetër. Kam kamerat që Bilbili ka kaluar me autobot, ka lagur vendin. Kam 20 punonjës që i bie këtu në studio dhe ai është diçka që është de facto.
Spartak Koka: Sa paguhej?
Alfred Karaj: 70 mijë Lekë një autobot, 80, diçka e tillë.
Spartak Koka: Po pse vendosi të largohej?
Alfred Karaj: Nuk e di se si e pati problemin. Unë u mundova që ta kuptoja por s’e kuptova se ku e pati problemin, sepse ai qe rehat e të gjitha. Shok e kam pasur më parë dhe nuk e kuptova tani ku doli problemi. Sepse unë vazhdimisht ato plasje kam bërë. Të paktën 2 muaj e tani plasje të vogla, 20 vrima, 25 vrima me diametër shpimi 10 metra ose 8 metra. Patëm bërë diçka krejt normale.