Një aeroplan spiun i Vladimir Putinit – në vlerë prej rreth 300 milionë eurosh – thuhet se është shkatërruar në një sulm me dron pranë Minskut nga një grup pro-ukrainas në Bjellorusi.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kanë qenë partizanët bjellorusë dhe anëtarët e opozitës në mërgim të vendit që kanë thënë se dëmtuan një aeroplan ushtarak rus A-50 në një mision sekret.
Dy bjellorusët që kryen operacionin kishin përdorur dronë, pohoi Franak Viacorka, një këshilltar i ngushtë i figurës së opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, duke shtuar se ata tashmë ishin larguar nga vendi dhe ishin të sigurt.
Pjesët e përparme dhe qendrore të AWACS Beriev A-50U si dhe antena e radarit u dëmtuan nga dy shpërthime në bazën ajrore Machulishchy pranë Minskut, pretendoi organizata antiqeveritare bjelloruse BYPOL.
Megjithatë, raportet për sulmin me dron nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar nga Rusia apo Bjellorusia dhe nuk kishte asnjë përgjigje të menjëhershme nga ministritë e tyre të mbrojtjes.
Por banorët vendas thanë se kërkime të mëdha ishin duke u zhvilluar nga policia dhe shërbimet e sigurisë pranë Machulishchi në rajonin e Minskut, sipas raporteve.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës një vit më parë, ka pasur disa akte sabotimi në Bjellorusi dhe në rajonet ruse në kufi me Ukrainën.