Aeroporti Ndërkombëtar i Brukselit ka njoftuar se 50% e fluturimeve me nisje të planifikuar për ditën e diel, 21 shtator, do të anulohen si pasojë e një sulmi kibernetik që ka shkaktuar ndërprerje serioze në sistemin e regjistrimit të pasagjerëve.
Sipas një zëdhënësi të aeroportit belg, vendimi është marrë për të shmangur rradhët e gjata dhe anulimet e vona, të cilat do të krijonin kaos për udhëtarët.
“Aeroporti i Brukselit u ka kërkuar linjave ajrore të anulojnë gjysmën e fluturimeve me nisje të planifikuar për të dielën, me qëllim shmangien e vonesave të mëtejshme dhe mbingarkesës në terminal”, tha zëdhënësi.
Sistemi i regjistrimit të pasagjerëve është goditur nga një sulm masiv kibernetik, i cili ka prekur disa aeroporte në Europë, duke shkaktuar vështirësi në operacionet e përditshme të fluturimeve.
Autoritetet belge po punojnë në koordinim me linjat ajrore dhe kompanitë e sigurisë për të zgjidhur problemin sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa udhëtarëve u këshillohet të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre përpara nisjes drejt aeroportit.
Sulmi kibernetik ndaj sistemeve të regjistrimit në aeroporte ka shkaktoi sot pengesa të mëdha në trafikun ajror dhe vonesa në disa nga aeroportet kryesore të Evropës, thanë zyrtarët të shtunën.
Autoritetet në Aeroportin Brandenburg të Berlinit thanë se një ofrues shërbimesh për sistemet e menaxhimit të pasagjerëve u sulmua të premten në mbrëmje, duke detyruar operatorët e aeroportit të ndërprisnin lidhjet me sistemet.
Aeroporti i Londrës Heathrow, më i ngarkuari në Evropë, tha se “një problem teknik” ka prekur një ofrues shërbimesh për sistemet e regjistrimit dhe pranimit të udhëtarëve.
“Collins Aerospace, që ofron sisteme regjistrimi dhe hyrje ne avionë për disa linja ajrore në aeroporte të shumta në mbarë botën, po përjeton një problem teknik që mund të shkaktojë vonesa për udhëtarët”, tha Heathrow në një deklaratë.
Aeroportet i këshilluan udhëtarët e tyre të kontrollonin statusin e fluturimeve të tyre dhe kërkuan falje për çdo shqetësim.
E formuar në vitin 2018, Collins është kompani amerikane e teknologjisë ajrore dhe mbrojtjes, pjesë e RTX Corp., e cila më parë njihej si Raytheon Technologies.
Collins ofron teknologjinë që ua mundëson udhëtarëve ta bëjnë vetë regjistrimin, t’i printojnë kartat për t’u futur në avionë dhe etiketat e bagazheve, si dhe t’i dorëzojnë vetë bagazhet e tyre, të gjitha përmes një kioske.