Aeroporti i Prishtinës do ta kryejë navigimin ajror të Aeroportit të Kukësit. Kjo është bërë e ditur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve, si dhe për t’u njohur me zgjidhjen e problematikave të ndryshme që paraqet ndërtimi i një vepre të tillë kaq komplekse, ministrja Balluku kreu në fundjavë një inspektim në kantier, e shoqëruar dhe nga përfaqësuesit e kompanisë koncensionare.
Aeroporti i Kukësit, për shkak të relievit gjeografik, konsiderohet si aeroport me komplikacione sa i përket navigimit ajror, ndaj ky problem do të zgjidhet nga Aviacioni Civil i Kosovës.
“Aeroporti i Kukësit për shkak edhe të relievit gjeografik, të motit të ashpër gjatë dimrit konsiderohet një aeroport me komplikim sa i përket navigimit ajror. Por ne e kemi zgjidhur këtë pjesë, në bashkëpunim edhe me kolegët në Kosovë. Kemi dizajnuar një procedurë të shkëlqyer me ta edhe në bashkëpunim me pilotët e Air Albania dhe kemi arritur që të jemi shumë afër përfundimit të këtij projekti ambicioz”, tha ministrja Balluku.
Ajo bëri të ditur se ky aeroport do të jetë gati brenda afatit të përcaktuar, në muajin prill. Balluku u shpreh se është sfiduar edhe Aeroporti i Tiranës, pasi terminali i ri i Aeroportit të Kukësit do të jetë me dy kate.
Ndërtimi i Aeroportit të Kukësit po ecën me një ritëm të mirë, ku dhjetëra makineri të rënda punojnë në të njëjtën kohë në disa fronte, për të bërë të mundur që kjo vepër e rëndësishme të jetë plotësisht në funksion në afatin e premtuar. Po punohet njëkohësisht për shtimin dhe zgjerimin e pistës, si dhe ndërtimin e godinave të nevojshme, të cilat do të jenë pjesë e funksionimit të këtij aeroporti, e ndërkohë paralelisht kanë nisur procedurat edhe për licencimin e tij. Pista aktuale e këtij aeroporti po shtohet me 300 metra, për të arritur në total një gjatësi prej 2.2 kilometrash, duke plotësuar në këtë mënyrë të gjithë elementët e nevojshëm të sigurisë.
Ridgers Mema, përfaqësues i “Kukës International Airport”, bëri të ditur se punimet kanë avancuar ndjeshëm dhe se synohet që ato të përfundojnë në fund të muajit shkurt, për t’u lënë më pas kohën testimeve të nevojshme për t’u certifikuar si aeroport ndërkombëtar.
“Fatkeqësisht të gjitha objektet ekzistuese në Aeroportin e Kukësit ishin jashtë standardit dhe na u desh t’i shembnim ose jemi në pritje që t’i shembim, siç janë kulla, magazina dhe terminali i vjetër. Çdo gjë është ndërtuar nga fillimi, sepse të gjitha objektet ekzistuese nuk i plotësonin dot kushtet, sidomos distancat nga pista, për të bërë të mundur navigimin ajror, i cili do të bëhet në bashkëpunim me aviacionin civil të Kosovës ”, sqaroi Mema.
Për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit po punojnë njëkohësisht disa kompani, krahas atyre shqiptare edhe kompania holandeze “NACO”, një ndër kompanitë më të njohura në botë në fushën e aviacionit civil. “Jemi në një aeroport, i cili është ndërtuar për qëllime ushtarake, me parametra të tjerë, të cilët nuk përputhen me parametrat e aviacionit civil, kështu që pavarësisht se është thënë gjithmonë që Aeroporti i Kukësit ekziston aty dhe mjafton të bëhen disa modifikime, këtu praktikisht po ndërtohet një aeroport i ri”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas saj, Qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat për të për t’i ofruar këtij aeroporti të gjithë infrastrukturën e nevojshme. “Sapo kemi mbyllur procedurën pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar për ndërtimin e rrugës së Aeroportit të Kukësit, që lidh qytetin e Kukësit dhe Rrugën e Kombit me aeroportin, duke i krijuar kështu infrastrukturën e duhur një aeroporti ndërkombëtar. Në këtë zonë gjithashtu kemi pasur një investim të OSHEE-së, duke sjellë këtu linjën 20 kilovolt dhe duke i dhënë një furnizim me atë që kërkohet për operimet e aeroportit për të mos pasur problematika”, nënvizoi ministrja Balluku.
Ajo shtoi edhe se pavarësisht volumit të madh të punimeve dhe procedurave që ka ndërtimi i kësaj vepre, ka një angazhim maksimal për ta përfunduar atë në afatin e premtuar. “Kantieri është gjigand, ndoshta është një nga kantieret më të mëdhenj që kemi në këto momente dhe me të vërtetë do të doja t’ju përgëzoja për kohën që ju jeni duke kapur dhe afatin që dukej totalisht i pamundur në fillim, por edhe për të gjithë këtë angazhim maksimal nga ana juaj dhe gjithë kompanive kontraktuese”, tha ajo.
Aeroporti i Kukësit do të ketë të punësuar si pjesë të stafit të tij afro 200 punonjës, ndërsa terminali i pasagjerëve, i cili është duke u ndërtuar, do të jetë me dy kate, ku do të jenë të stacionuar edhe zyrat shtetërore. Për këtë aeroport do të përdoret një teknologji satelitore e siguruar nga Shërbimi Evropian i Navigimit nëpërmjet satelitit.