Edhe pse gjyqi ndaj agjentit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal po zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së informacioneve, gazetari Klodian Tomorri ka arritur të sjellë disa të dhëna të forta.
Kështu, sipas një Jurie të Madhe në SHBA, janë rënduar akuzat ndaj Charles McGonigal, ndërsa kërkohet edhe konfiskimi i pasurive të ish-agjentit.
McGonigal është i implikuar thellë në aferë me kryeministrin Edi Rama, i cili ka vepruar përmes dy agjentëve të tij, Dorian Duçkës dhe Agron Nezën.
Pikërisht për Nezën, Juria e Madhe ka zbuluar edhe fakte të reja.
Charles McGonigal u lidh me oligarkun rus të Potinit, Oleg Deripaskën, përmes një shtetasi rus, Sergei Shestakov. McGonigal mori pagesa nga oligarku rus Deripaska për t’i hequr sanksionet e vendosura nga SHBA. Sipas akuzës, ish-zyrtari i lartë i FBI ishte i vetëdijshëm se po shkelte ligjin duke punuar për Deripaskën, ndaj është munduar të fshehë pagesat.
Sipas akuzës, McGonigal dhe Shestakov fillimisht falsifikuan firmën e Nezës dhe i transferuan paratë përmes kompanisë së tij, pa dijeninë e shqiptaro-amerikanit. Kur Neza u vu në dijeni të këtyre transaksioneve ai e pyeti McGonigal se pse një bankë ruse ishte duke transferuar para në llogarinë e tij? McGonigal iu përgjigj se bëhej fjalë për pagesa të ligjshme që buronin nga një punë që ai po bënte për një djalë të pasur rus.
Neza pranoi dhe vendosi t’i transferojë fondet nga kompania e tij në llogarinë personale të McGonigal. Sipas akuzës, bëhet fjalë për një pagesë prej 51 mijë dollarësh të kryer në 13 gusht të vitit 2021 dhe 4 pagesa të tjera mujore nga 41 mijë e 790 dollarë të kryera gjatë periudhës 18 gusht-18 nëntor 2021.
Këto para u paguan nga një bankë ruse tek një kompani në Qipro. Më pas kompania qipriote i transferoi tek kompania e Nezës në New Jersey dhe ky i fundit ia kaloi McGonigal.
Gjykata thotë se Neza i kishte lejuar pjesëmarrjen në biznes McGonigal gjatë kohës që ky i fundit shërbente ende në FBI. Më tej akoma, Neza i kishte siguruar McGonigalit një email të kompanisë si dhe një telefon me emër fals, të cilat McGonigal i përdorte për të fshehur punën që bënte për kompaninë e Nezës gjatë kohës që ishte në FBI.