Një komandant i lartë i Al-Qaedas është vrarë në gusht në Iran nga agjentët izraelitë që kanë vepruar sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, ka shkruar gazeta amerikane, “The New York Times”, duke cituar zyrtarë të inteligjencës.
Abdullah Ahmed Abdullah, i cili njihej me emrin e luftës, Abu Muhammad al-Masri, u vra nga dy burra që lëviznin me motoçikletë në Teheran, raporton kjo gazetë. Ky person akuzohej për ndihmë në organizimin e shpërthimeve të vitit 1998 në dy ambasada amerikane në Afrikë.
Masri vlerësohej si pasardhës i mundshëm i Ayman al-Zawahri, që besohet se tash për tash është udhëheqës i grupit të famshëm terrorist, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Nuk dihet nëse Shtetet e Bashkuara kanë pasur ndonjë rol në vrasjen e militantit me prejardhje nga Egjipti. Ai u vra më 7 gusht, pikërisht në përvjetorin e sulmeve në ambasada, ndërsa autoritetet amerikane kishin qenë duke e përcjellë Masrin dhe militantë të tjerë të Al-Qaedas në Iran për vite të tëra.
Gazeta amerikane raportoi se Masri u vra bashkë me të bijën, që është e veja e djalit të Osama bin Ladenit, Hamza bin Laden.
Masri thuhej se ka qenë në mbajtje në Iran që nga viti 2003, por jetonte i lirë në një lagje periferike të Teheranit që nga viti 2015, citohen të kenë thënë zyrtarët e paidentifikuar të inteligjencës amerikane.
Zyrtarët kundër terrorizmit në Shtetet e Bashkuara besojnë se Irani, shtet armik i ShBA-së, mund ta kehtë lejuar këtë militant që të jetojë në Teheran për të organizuar operacione kundër caqeve amerikane.