Intervistë me Ahmet Pllanën, kandidat për asambleist në Komunën e Obiliqit.
Obiliqi ndryshe quhet qyteti i dritës, sepse këtu gjenden dy termocentralet e mëdha “Kosova A” dhe Kosova B” të cilat prodhojnë energji elektrike ditë e natë dhe e furnizojnë tërë Kosovën me energji elektrike.
Ahmet Pllana, kandidat për asambleist në Komunën e Obiliqit vjen nga subjekti politik Aleanca Kosova e Re (AKR), gazetar shumëvjeçar, redaktor, poet, shkrimtar dhe opinionist, në një intervistë për Televizionin ALBUK në Londër, ka thënë se Obiliqi ka nevojë për ndryshime në përmirësimin e jetës së qytetarëve, sepse deri më tani si pasojë e qeverisjes jo të duhur, është shpenzuar buxheti i komunës në prioritete të parëndësishme dhe që nuk kanë të bëjnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Kjo ka ndikuar në rritjen e papunësisë, në keqësimin e jetës sociale, në punësimin e militantëve të subjektit në pushtet, etj. Qytetari tanimë është vetëdijesuar dhe e di se kujt duhet dhënë vota. Nisur nga ky fakt, shpresoj se pushtetin në komunë do ta marrë subjekti politik meritor, që do të sillte ndryshime në menaxhim dhe përmirësim të jetës së qytetarëve. Nëse arrij të marrë votat e nevojshme dhe të bëhem asambleist, do të jap kontributin tim maksimal në radhë të parë në ndryshimin e qeverisjes në komunë në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve”, thotë Pllana.
TV ALBUK: Jeni kandiduar për asambleist në Komunën e Obiliqit nga radhët e AKR-së. Si e keni pritur këtë kandidim dhe a ke qenë i gatshëm që të bëhesh asambleist?
Ahmet Pllana: Kandidimin për asambleist në Komunën e Obiliqit kësaj radhe nuk e kam pritur fare, por ja që ndodhi të më bëjnë kandidat për të garuar në zgjedhjet komunale. Andaj, nëse i fitoj votat dhe bëhem asambleist, do të jap kontributin tim maksimal për të ndryshuar gjendjen në komunën e Obiliqit për të mirën e qytetarëve në çdo aspekt të jetës së tyre.
TV ALBUK: Sa jeni i përgatitur që të bëheni asambleist i Komunës së Obiliqit në këtë kohë pandemie, derisa në anën tjetër ekziston një konkurrencë për asambleistë, duke marrë parasysh se subjekte garuese në listat e tyre kanë sjellë shumë kandidatë për asambleistë, madje nga 15 e 20 veta?
Ahmet Pllana: Jam i përgatitur për këtë garë, por në fund vendos vota e qytetarit. Nëse arrij vota të mjaftueshme që të bëhem asambleist, do të jap kontributin tim makimal në realizimin e projekteve që kanë të bëjnë për të mirën e qytetarëve, sikurse punësimin, zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, nxitjen dhe stimulimin për të investuar në hapjen e fabrikave prodhuese të produkteve të ndryshme, në zhvillimin e ekonomisë dhe për të ndryshuar gjendjen në të mirë të qytetarëve. Në qeverisjen e kaluar ka pas disa të arritura në infrastrukturë, si në shtruarjen e trotuareve me katror, instalimin e dritave përgjatë rrugëve në disa fshatra, si në Mazgit, Bakshi, Dardhishtë, Muzakaj, etj., në mbjelljen e drunjve dekorativ përgjatë rrugës Obiliq-Muzakaj me gjatësi 4 kilometra, por ka munguar mirëmbajtja dhe ujitja e tyre, andaj shumë drunj janë tharë që mund të shihen edhe sot. Rruga e asfaltuar Hamidi-Plemetin në shumë vende është prishur, pra nuk ka mirëmbajtje. Ka shumë ngecje në zhvillimin ekonomik dhe social, por edhe në arsim, shëndetësi, trafik, nuk ka parkingje, janë ndërtuar kabina në stacionet e autobusëve, por nuk mirëmbahen, ka xhama të thyer, ka bërllok në to dhe rreth tyre. Nuk ka pastërti në qytet, nuk ka asnjë projekt i realizuar në mbrojtjen e mjedisit, meqë Obiliqi është qyteti me mjedisin më të ndotur në vend. Ne sipas programit hapim 7 fabrika në 7 fshatra, zhvillojmë bizneset e vogla dhe të mesme, hapim vende të reja të punës dhe përmirësojmë jetën sociale të qytetarëve.
TV ALBUK: Ju me profesion jeni gazetar. A e ke menduar ndonjëherë veten në politikë dhe se do të merresh me politikë?
Ahmet Pllana: Jo, asnjëherë nuk e kam menduar se do të merrem me politikë. Kjo ka ndodhur rastësisht, kur disa kolegë të subjektit politik AKR, Dega në Obiliq, në qershor të vitit 2016 më ftuan t’i bashkëngjitesha subjektit politik Aleanca Kosova e Re, duke më premtuar se do të kem përkrahje maksimale. Unë pranova ftesën me kënaqësi, duke konsideruar se do të jepja kontributin tim maksimal në të mirë të gjendjes në komunë dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
TV ALBUK: Cili do të ishte kontributi yt konkret në zhvillimin ekonomik e social dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve?
Ahmet Pllana: Kontributi im konkret është realizimi i Programit Zhvillimor për Komunën e Obiliqit, i cili program është hartuar nga vet subjekti i AKR-së. Ky Program synon zhvillimin ekonomik dhe social në Komunën e Obiliqit, zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, punësimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në fokus të këtij Programi është hapja e 7 fabrikave prodhuese në 7 fshatra të komunës së Obiliqit. Pra, në katër vitet e ardhshme të qeverisjes lokale, AKR-ja premton dhe realizon ndërtimin e shtatë fabrikave prodhuese të produkteve të ndryshme. AKR-ja premton dhe realizon, nuk është subjekt që premton dhe nuk realizon.
TV ALBUK: A ke përgatitur ndonjë program konkret në këtë drejtim?
Ahmet Pllana: Po. Programi konkret ekziston. Ky Program konkret parasheh hapjen e 7 fabrikave në 7 fshatra të komunës së Obiliqit. Në Muzakaj (ish Milloshevë) hapja e një fabrike për përpunimin e pemëve dhe prodhimin e produkteve nga mollat, dardhat, kumbullat, qershitë, etj., ku fillimisht do të punësoheshin 20 punëtorë. Në Sibofc hapja e një fabrike për prodhimin e produkteve nga qumështi, jogurtit, kosit, djathit, xhizës, etj. , ku do të jetë edhe një pikë grumbulluese e qumështit dhe do të punësoheshin fillimisht 20 punëtorë. Në Brezhnicë hapja e një fabrike për prodhimin e lëngjeve të gazuara dhe të pagazuara, ku do të punësoheshin fillimisht 20 punëtorë. Në Bajmofc hapja e një fabrike për prodhimin e produkteve nga perimet, si sallatat dhe turshit nga perimet, sikurse nga specat, lakrat, etj., dhe ku do të punësoheshin fillimisht 15 punëtorë. Në Mazgit hapja e një fabrike për prodhimin e produkteve nga plastika, karrigeve, tavolinave, gajbeve, etj., ku do të punësoheshin fillimisht 20 punëtorë. Në Bakshi hapja e një fabrike për ambalazhim dhe për prodhimin e paketave të llojeve të ndryshme, ambalazhimin e kafesë, sheqerit, çajit, etj., ku do të punësoheshin fillimisht 10 punëtorë. Në Dardhishtë një fabrikë për prodhimin e produkteve nga metali, kryesisht dyerve të blinduara, por edhe dritareve, gilinderave të ballkoneve, rrethojave, etj., ku fillimisht do të punësoheshin 20 punëtorë. Fillimisht do të gjenin punë 130 punëtorë me kontrata të punës dhe paga mujore mesatare, por gjithnjë me tendencë të rritjes së numrit të punëtorëve.
TV ALBUK: Sa e njihni gjendjen aktuale në të cilën gjendet Komuna e Obiliqit?
Ahmet Pllana: Gjendjen aktuale në të cilën gjendet komuna e Obiliqit e njoh shumë mirë, sepse jam banor i kësaj komune. Gjendja ekonomike dhe sociale është tejet e vështirë dhe pa përmirësime për sa vite me radhë. Ka papunësi dhe familje me gjendje të rëndë sociale, ka ambient të ndotur dhe shumë vështirësi të tjera me të cilat për çdo ditë ballafaqohen qytetarët e Obiliqit me rrethinë.
TV ALBUK: A mendoni se mund të jepni kontribut të duhur si asambleist për komunën e Obiliqit, sidomos në përmirësimin e jetës së qytetarëve?
Ahmet Pllana: Po gjithsesi mendoj se mund të jap kontributin tim të duhur. Mirëpo, pres që qytetarët të më japin votat e tyre dhe unë këtë do t’ua kthej në të mirë të tyre, duke ndryshuar gjendjen jo të mirë sociale, por edhe gjendjen jo të mirë ekonomike, në të cilën gjendet komuna e Obiliqit.
TV ALBUK: A keni ndonjë plan konkret edhe në përmirësimin e gjendjes në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, kulturë, sport dhe rini?
Ahmet Pllana: Po. AKR-ja, Dega në Obiliq, ka një plan konkret dhe shumë të realizueshëm në zhvillimin e komunës, qoftë në infrastrukturë, në shëndetësi, në arsim, në kulturë, në rini dhe në sport, ku do të hapnim ambulanca të reja në ato fshatra ku nuk ka fare ambulance, sikurse në Bakshi, Raskovë, Llazarevë, Bajmofc, etj. Pastaj, edhe në arsim do të përmirësonim gjendjen, do të ngrisnim cilësinë në mësim, do të hapnim kabinetet e nevojshme, sallat me kompjuterë, laboratorët, sallat e edukatës fizike, etj. Do të eliminonim korrupsionin dhe nepotizmin kudo që ndodhë në komunë. Ndërkaq, sa i përket kulturës, rinisë dhe sportit do të bënim ndryshime rrënjësore. Kultura në komunën e Obiliqit ka mundësi të zhvillohet më shumë me programe e projekte të larmishme. Do të ndërronim kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve “Fahri Fazliu” , i cili qe 30 vite nuk është ndërruar.
TV ALBUK: Cili subjekt politik mendoni se do të fitojë në komunën tuaj?
Ahmet Pllana: Mendoj se në Komunën e Obiliqit do të fitojë subjekti politik i cili kërkon të bëj ndryshime të qeverisjes dhe menaxhimit. Do të fitojë ai subjekt që ka Program konkret për zhvillimin e Komunës, me ide e propozime të reja, të cilat janë në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Do të fitojë ai subjekt i cili bën punë të mëdha në përmirësimin e gjendjes së familjeve me gjendje të rëndë sociale, sidomos punësimin me moton “një familje, një të punësuar”.
TV ALBUK: A keni ndonjë porosi apo mesazh për qytetarët, meqë tani kanë mbetur edhe pak ditë deri në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor 2021?
Ahmet Pllana: Mesazhi im është ky: Qytetarë të nderuar, dilni votoni, sepse është detyrë qytetare, patriotike, kombëtare dhe shtetërore! Mos e humbisni votën tuaj të shenjtë! Qytetarë të nderuar të Komunës së Obiliqit, ju e dini më së miri se kujt ia jepni votën! Epjani votën më të mirit, më të merituarit, atij që punon për interesa të qytetarit dhe jo për interesa të veta personale! Voto 149, nr. 4! Uroj që zgjedhjet komunale të sivjeme të shkojnë për së mbari dhe të ketë kujdes të shtuar nga votuesit që të ruhen nga virusi Korona 19!
Intervistoi: Shpresa Përvetica

