Koalicioni i mundshëm mes LSDM-së, Besës dhe BDI-së po jep shenjat e para. Pas zbutjes së qëndrimeve mes rivalëve LSDM dhe BDI, këtë të martë janë zhvilluar edhe takime të niveleve të larta.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, nëpërmjet të një postimi në Facebook, ka njoftuar për takimin e realizuar me Kryetarin e partisë Besa, z. Bilall Kasami.
“Pas bisedës telefonike të javës së kaluar, sot në Shkup takova Kryetarin e Lëvizjes “Besa”, z. Bilall Kasami.Me z. Kasami vlerësuam mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare më 15 korrik dhe bashkarisht mirëpritëm vlerësimet afirmative të komunitetit ndërkombëtar dhe në veçanti të OSBE/ODIHR.
Gjatë takimit konstruktiv, u dakorduam të vijojmë përpjekjet tona në rrugën euroatlantike të vendit si dhe reformat e shumëpritura në drejtim të sundimit të ligjit duke zhvilluar dialog të hapur dhe të vazhdueshëm.Në ditët në vijim, gjithësesi se shpresoj që të realizoj takime pune edhe me kryetarët e partive opozitare shqiptare në interes të qytetarëve të vendit tonë.” shkruan Ahmeti
Thuaj se të njëjtat gjëra i kumtuan edhe nga Lëvizja Besa pas takimit:
“Sot në Shkup me ftesë të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti u realizua takim mes kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe z.Ahmeti.
Në këtë takim u vlersua përfundimi i procesit zgjedhor konform raportit të OSBE/ODIHR, si dhe palët u dakorduan se shteti ka nevojë për rivendosjen e institucioneve me kapacitet të plotë përmes formimit sa më të shpejtë të Qeverisë dhe shumicës parlamentare.
Bashkëbiseduesit u dakorduan se duhet të ketë një dialog të hapur dhe të vazhdueshëm për sa i përket temave që kanë të bëjnë me interesat e përbashkëta si që janë proceset integruese për anëtarsim e vendit në Bashkimin Evropian dhe reformave që janë të domosdoshme për sa i takon sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës” thonë nga Lëvizja Besa.
Ahmeti ka kumtuar se pas Besës do të ftoj edhe liderët tjerë të partive politike shqiptare megjithatë nuk duhet nëse kreu i ASH-së Ziadin Sela dhe kreu i Alternativës Afrim Gashi do të pranojnë takimin me z.Ahmetin pasi që pretendojnë se u është bërë padrejtësi në zgjedhjet e 15 korrikut.
Ditë më parë mediat në gjuhën maqedonase njoftuan se 4 deputetë të VMRO-së kanë dalë tashmë si të pavarur duke lënë të hapur mundësinë që t’i bashkangjiten shumicës së re parlamentare të udhëhequr nga Zoran Zaev.
Në lojë janë të gjitha kombinimet e mundshme, duke mos përjashtuar edhe bashkëpunimin e LSDM-së me koalicionin “Tash është koha” (ASH-AAA) edhe pse nuk doli fitimtar në zgjedhjet e 15 korrikut.
Megjithatë, ditëve në vijim pritet intensifikimi i takimeve dhe bisedimeve për formimin e shumicës parlamentare.
Sipas burimeve të Gazetës Express në Shkup, BDI-ja dhe Ali Ahmeti vazhdojnë të këmbëngulin në realizimin e kërkesës së tyre për kryeministër të parë shqiptar në Maqedoni edhe pse një gjë e tillë nuk është se po pritet mirë nga partitë e bllokut maqedonas.
Në opsion mbetet edhe pozita e kryeministrit me rrotacion.