Profile shkencore nga historia, gjuhësia, fizika, kimia e ekonomia janë prurjet më të reja të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ky institucion akademik të hënën ka zgjedhur emrat e rinj që do të jenë pjesë e tij në kapacitet të akademikëve të rregullt, të asociuar dhe të jashtëm
Genc Sulçebe, Ilia Mikerezi dhe Pëllumb Xhufi janë disa nga emrat e prurjeve më të reja të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Asambleja e institucionit më të lartë akademik në Shqipëri, të hënën në mesditë, ka përfunduar procesin e zgjedhjes dhe shpalljen e rezultateve të votimit për anëtarët e rinj. Duke respektuar protokollet e sigurisë me distancë nga njëri-tjetri, Asambleja e AShSh-së në sallën “Aleks Buda” ka përfunduar procedurat e parashikuara nga Statuti i saj për zgjedhjen e anëtarëve të rinj akademikë e akademik i asociuar, për avancime në titullin akademik të dy anëtarëve të saj (lëvizje të brendshme), si dhe për zgjedhjen e anëtarëve të jashtëm.
Pas një fjale të rastit të kryetarit Skender Gjinushi, i cili paraqiti kandidaturat, Asambleja ka zgjedhur komisionin e votimit për administrimin statutor të procesit zgjedhor, në përbërje të të cilit ishin: Neki Frashëri, kryetar, si dhe anëtarët Floran Vila, Jorgaq Kaçani dhe Gjovalin Shkurtaj.
“Kandidatët që paraqiten sot kanë ndjekur procedurat në lidhje me statutin, edhe plotësimi i kriterit ligjor i është bërë e njohur komisionit teknik. Gjatë zbatimit të procedurave të reja ligjore, sipas ligjit të ri, mundësohet një bashkëpunim i ngushtë me institucionet arsimore”, ka thënë ndër të tjerash kreu i Akademisë, Skender Gjinushi.