Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të premte në aksin Prizren-Suharekë, ku një makinë me targa të Shqipërisë është përplasur me një kamion.
Për pasojë kanë humbur jetën dy gratë që po udhëtonin në mjet.
Bëhet fjalë për Elizabeta Katija, 43-vjeçe (drejtuesja e mjetit) dhe Eorda Sinollari, 32 vjeçe (pasagjere). Dyshohet se shkak i aksidentit, ishte koha e keqe dhe me mjegull.
Elizabeta Katija ishte një personazh i njohur në fushën e biznesit në Tiranë dhe rrethe. 43-vjeçarja mbante rolin e drejtueses në Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare.
Shpesh herë, Katija udhëtonte jashtë vendit, për të marrë pjesë në takime të botës së biznesit. Ndërsa Eorda Sinollari, po ashtu është një emër i njohur në botën e biznesit, në profesionin e konsulentes dhe më herët edhe të gazetares.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Sipas zëdhënësit Baki Kelani, aksidenti ndodhi sot rreth orës 07:40, në kilometrin e 26-të të autostradës ‘Ibrahim Rugova’. ‘Në këtë ngjarje ishin të përfshira një makinë me targa të huaja dhe një kamion me targa vendore. Fatkeqësisht, aksidenti solli pasoja fatale për dy gra’, tha Kelani.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e saktë të aksidentit dhe rrethanat që çuan në këtë tragjedi, ndërsa qytetarët dhe komuniteti janë tronditur nga humbja e dy grave.
Në mediat sociale dhe në komunitetin e ekonomistëve në Shqipëri, lajmi për vdekjen e Elizabeta Katiaj ka shkaktuar reagime të shumta, duke nënvizuar rëndësinë e kontributit të saj në fushën e ekonomisë dhe ndikimin e saj në publik.




