Policia ka konfirmuar se brenda makinës që ra mëngjesin e sotëm në Shkumbin ndodheshin pesë persona.
Për fat të mirë, dy prej tyre u nxorën të gjallë prej saj ndërsa është konfirmuar se dy të tjerë ndërruan jetë pasi u bllokuan në makinë.
Policia ndërhyri për të nxjerrë makinën nga lumi me ekskavator dhe në atë moment njërin prej trupave të pajetë e mori rrjedha e ujit, ndërsa dy të tjerët u gjetën të vdekur brenda makinës.
Gjithçka ndodhi pasi makina që ra në lum u përplas me një tjetër automjet tip “Ford” i cili drejtohej nga një person i identifikuar si Sajmir Gjuzi.
Policia është duke kërkuar shkaqet e aksidentit që çoi në këtë tragjedi, ndërsa paraprakisht dyshohet lagështira dhe një parakalim i gabuar.
Një dëshmitar i ndodhur në vendngjarje në momentin e aksidentit të tmerrshëm sot në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, thotë për mediat se nxjerrja e trupave ishte shumë e vështirë dhe se fillimisht jashtë makinës ka parë vetëm një djalë të ri të plagosur.
3 personat që mbetën të vdekur sipas tij kishin ngecur brenda makinës dhe duheshin shkallë të gjata për të manovruar për nxjerrjen e tyre nga gremina. Burri theksoi se vendi ku ka ndodhur aksidenti tragjik është mjaft i rrezikshëm dhe se është hera e tretë që ndodh një gjë e tillë.
Operacioni i nxjerrjes së trupave ka qenë mjaft i vështirë, për shkak të terrenit mjaft të thyer, si dhe rrjedhës së lumit, e cila ka qenë e furishme për shkak të reshjeve të shiut që kanë rënë gjatë natës.
Është dashur ndërhyrja e fadromës për të bërë të mundur nxjerrjen e mjetit nga lumi, ndërkohë që kërkimet në lumë janë kryer dhe nga polumbarë të mbërritur nga Tirana.
Burime bëjnë me dije nga spitali i Librazhdit, se një prej fëmijëve, një vajzë e vogël, ka qenë në gjendje kome në momentin e mbërritjes në spital. Asaj i është dhënë ndihma e parë, dhe ende nuk dihet nëse e ka kaluar gjendjen e rrezikut.
“Vetëm ai djali i ri ishte jashtë, të tjerët ndodheshin brenda në makinë. 3 persona, duheshin shkallë të gjata për t’I nxjerrë, mezi I nxorrëm lart, djalin sidomos se gruaja vdiq aty.
Djalin e vogël pashë më shumë, të tjerët ishin aty derisa erdhi policia. Ky vendi është i frikshëm, se është e treta herë që ndodh e nuk janë marrë masa”-u shpreh dëshmitari i aksidentit të rëndë.




