Limbiate, Monza Një garë me makina i mori jetën të riut shqiptar Arnold Selishta. Kjo është pista kryesore e autoriteteve italiane, që sa vjen e bëhet edhe më e qartë.
Ngjarja tragjike ndodhi orët e natës të 8 Korrikut në Limbiate (Lexo më shumë). Në një moment, sipas asaj që shkruajnë mediat fqinje, Range Rover-i dhe BMW-ja arritën një shpejtësi deri në 200 km/h.
E duket se kjo shpejtësi e madhe i kushtoi dhe jetën të riut shqiptar. Nën hetim për këtë aksident tragjik është kushëriri i Arnoldit, 23 vjeç.
Ky i fundit është arrestuar dhe në dëshminë e tij para hetuesve e ka mohuar që po bënin gara me makinë.
“Nuk po lëviznim me shpejtësi, hymë në rrethrrotullim, po kthehesha majtas siç bëjnë në Britani pastaj kushëriri im më tha të futesha djathtas, devijova, kushëriri nuk e kishte vënë rripin e sigurimit, ndërsa unë po, kjo që më shpëtoi jetën”, mësohet të ketë thënë 23-vjeçari në dëshminë e tij.
Por ky pohim bie poshtë nga hetimet e deritanishme, që flasin për një shpejtësi tej normave të lejuara.
Grupi i të rinjve sapo kishin dalë nga një lokal në Nova Milanese, kur kishin kaluar mbrëmjen. Më pas të gjithë nëpër makina dhe sfida me këmbën në gaz, që u mbyll në mënyrë dramatike në rrethrrotullimin e Monte Bianco, aty ku Range Rover-i u përmbys dhe shpërtheu në flakë, duke i marrë jetën Arnoldit./