Çmimi i aksioneve të Mançester Junajtid it pësoi ditën më të keqe ndonjëherë të martën me më shumë se 600 milionë paund humbje nga vlera e tregut pas raportimeve të fundjavës se familja Glejzër do ta hiqte klubin nga shitja. Çmimi i aksionit u mbyll me 23.66 dollarë të premten dhe ra në 18.83 dollarë të martën, ndërsa e mbylli ditën me 19.35 dollarë. Bursa e Nju Jorkut e bëri pushim të hënën për shkak të Ditës së Punës.
Kjo ishte rënia më e madhe e vlerës së aksioneve të “djajve” që kur Junajtidi nxori aksionet në shitje në vitin 2012. Rënia më e madhe e mëparshme ishte 13.8 për qind më 12 mars 2020. Çmimi i aksionit ra me 18.22 për qind brenda një dite, ndërsa 600 milionë paund u fshinë nga vlera e tregut të klubit. Vlera e Junajtidit sot në bursë është 3 miliardë paund (3.86 miliardë dollarë), dyfishi i çmimit të kërkuar nga pronarët amerikanë (6 miliardë paund). Ofertat për të blerë klubin nga sheiku Jasim dhe njeriu më i pasur i Britanisë, Xhim Retklif, e vlerësojnë Junajtidin në afërsisht 5 miliardë paund. Çmimi i aksionit të klubit ka rënë me pothuajse 30 për qind që nga niveli më i lartë 12-mujor që arriti në muajin shkurt.
OFERTAT – Një raport i “Mail on Sunday” pretendon se Glejzërat po planifikojnë të heqin Junajtid nga tregu, me planin për ta rikthyer klubin në shitje në vitin 2025, kur ata besojnë se vlerësimi i tyre prej 7 miliardë deri në 10 miliardë paund do të përmbushet. Ata që janë përfshirë në procesin e vlerësimit, duke përfshirë bankën tregtare “Raine”, mbikëqyrësit e bisedimeve të procesit të shitjes, nuk u është komunikuar për ndonjë ndryshim në strategjinë e pronarëve. Sheiku Jasim dhe Sër Xhim Retklif ishin të vetmit kandidatë seriozë që bënë oferta zyrtare për të blerë klubin, por ata nuk arritën vlerësimin që Glejzërat donin. “Sky Sports News” zbulon se ata dëshironin 6 miliardë paund.