Gjykata Speciale në Hagë ka ngritur aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaci, si dhe kundër tre ish-zyrtarëve të tjerë dhe një personi tjetër, të cilën i akuzon për ndikim mbi dëshmitarët.
Në një njoftim për media Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se një gjykatëse e ka pranuar kërkesën e prokurorëve për aktakuzë kundër Thacit dhe ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliun.
Aktakuza i ngarkon me vepra penale në lidhje me “përpjekje e paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Sipas aktakuzës, në periudhën midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit, Thaçi dyshohet se u ka dhënë Smakajt, Kilajt, Fazliut e Kuçiq “informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”.
“Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”, thuhet në njoftim.
Në aktakuzën e publikuar nga Specialja jepen detaje për “funksionimin e tri grupeve të Thaçit”.
Sipas saj, Thaçi në vizita u kishte dhënë informata të akuzuarve të tjerë në këtë rast se si t’i përcillnin mesazhe dëshmitarëve për të dhënë dëshmi.
Aty thuhet se të akuzuarit kanë konfirmuar apo janë pajtuar me instruksionet e Thaçit për pengim të drejtësisë.
Specialja në aktakuzë i ka ndarë grupet në: Grupin “Smakaj”, “Fazliu” dhe “Kilaj”. Në të theksohet se Grupi “Smakaj” përbëhej nga ish-këshilltarët e Thaçit, Bashkim Smakaj, Artan Behrami dhe Blerim Shala. Ndërsa Grupi “Kilaj” përbëhej prej Isni Kilajt dhe Vllaznim Kryeziut dhe Grupi “Fazliu” nga Fadil e Fahri Fazliu.
Po ashtu aty thuhet se më 30 tetor 2023, në veturën e Smakajt është gjetur një dokument për dëshminë e njërit dëshmitar.
Specialja ka thënë se ka gjetur materiale konfidenciale për procedurat dhe për dëshmitarët edhe në pronën e Kilajt, më 2 nëntor 2023.
Smakaj, Fazliu dhe Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u dërguan në ndërtesën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë më 6 dhjetor, tha gjykata.
Gjykata shtoi se Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar, për paraqitjen e parë.