Aktorët e filmit të famshëm “Home Alone” kanë reaguar ndaj ndarjes nga jeta të aktores Catherine O’Hara, në moshën 71-vjeçare.
Sipas raportimeve, aktorja ishte dërguar me urgjencë në spital në gjendje “serioze” përpara se të ndërronte jetë të premten.
O’Hara u bë e njohur për rolin e Kate McCallister, nënës së Kevin-it, në filmin klasik të Krishtlindjeve të vitit 1990, ku luajti përkrah Macaulay Culkin, Joe Pesci, Daniel Stern, John Heard, Devin Ratray dhe John Candy.
Macaulay Culkin, i cili luajti rolin e Kevin McCallister, ndau një homazh prekës në Instagram, duke publikuar foto nga xhirimet e filmit dhe nga ceremonia e tij në Hollywood Walk of Fame në vitin 2023, ku ishte e pranishme edhe O’Hara.
“Mama. Mendova se kishim kohë. Doja më shumë. Doja të ulesha pranë teje dhe të flisnim,” shkroi ai. “Kisha ende shumë për të thënë. Të dua. Do të shihemi më vonë.”
Culkin dhe O’Hara kishin ruajtur një marrëdhënie të ngushtë ndër vite. Në një intervistë të vitit 2025, aktorja e kishte përshkruar Culkin-in si “një djalë të mrekullueshëm” dhe kishte shprehur krenarinë për jetën dhe familjen e tij.
Regjisori i “Home Alone”, Chris Columbus, u shpreh i tronditur nga humbja e aktores:
“Jam i shokuar dhe me zemër të thyer. Sot humbëm Catherine O’Hara,” shkroi ai në Instagram.
“Ajo mbante mbi supe 50% të peshës emocionale të filmit. ‘Home Alone’ nuk do të funksiononte pa performancën e saj të jashtëzakonshme.”
Edhe Devin Ratray, i cili luajti rolin e Buzz McCallister, shprehu dhimbjen për humbjen e “nënës së tij në film ”.
“Një nga njerëzit më të mrekullueshëm që kam takuar ndonjëherë,” shkroi ai mbi një foto të vjetër nga vitet ’90.


