Albania
Aktori Xhevdet Ferri përcillet në banesën e fundit
Iu dha sot lamtumira e fundit aktorit të mirënjohur shqiptar Xhevdet Ferri.
Ai ndërroi jetë mbrëmë në moshën 59- vjeçare pas një sëmundje të rëndë.
Familjarë, miq dhe simpatizantë përcollën për në banesën e fundit një ndër ikonat e kinematografisë shqiptare.
I njohur për 30 role në filmin shqiptar dhe një personalitet i lartë i artit publiku, Ferri prej kohësh vuante nga një sëmundje tumorale.
Kush ishte Xhevdet Ferri?
Në 1982 diplomohet në Akademinë e Arteve dega e dramës dhe më pas mbetet pedagog i mjeshtërisë së aktorit në këtë Akademi. Vazhdon karrierën akademike deri në detyrën si Dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj Akademive. Ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër. Në teatër ka interpretuar pak role, por suksesin me te madh si aktor ai e ka arritur ne filmin artistik (rreth 13 role).
Pothuajse në të gjitha filmat ka qenë në rolin e protagonistit deputon në vitin 1980 ne “Skëterrë ’43” si Arjani dhe po atë vit në “Vëllezër dhe shokë” duke rënë në sy për rolin e Markos.
5 vjet më vonë në vitin 1985 do të bëhet i njohur me interpretimin e rolit të Agronit në filmin e dytë të tij “Hije që mbeten pas”. Në mishërimin që i bëri figurës se Gorit në filmin tjetër “Dhe vjen një dite”, me të cilin u nderua me medaljonin e festivalit, me 1986, bie ne sy cilësi te tjera interpretive si natyrshmëria, qetësia dhe thjeshtësia shoqëruar nga karakteri drejtpërdrejt i të vepruarit. U dallua për një individualitet të veçantë aktoresk.
Role të tjera të spikatura për aktorin Xhevdet Ferri janë edhe ai i e Pali në “Besa e kuqe” (1982); Sandri në “Vendimi” (1984); Trimi në “Përrallë nga e kaluara” (1987); Martini në “Treni niset në 7 pa pesë” (1988); Gjon Kadri ne “Vitet e pritjes” (1990); Me rolin e Sakos, në filmin “Dasma e Sakos” (1998), Xhevdet Ferri arrin sërish në një pikë të lartë artistike të interpretimit.
Nga vitet 1995-1999 ishte drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e marrë sërish këtë post në vitin 2006. Ndërsa në vitet 1999-2001 ishte drejtor i Teatrit Kombëtar. Është specializuar në fushën e “Menaxhimit të Institucioneve Artistike” në Amsterdam e Oxford. Në periudhën kohore 1996 – 1998 ishte deputet i PD-se në Kuvendin popullor. Në vitin 2004 është bashkëthemelues i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë duke qenë edhe Kryetari i pare i kësaj Shoqate.


Albania
Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.
“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.
Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.
Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.
“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.
Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.
Albania
VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
Një protestë ka ndodhur në ambientet e teatrit “Petro Marko” në Vlorë për shkak të mungesës së ujit prej tre ditësh.Qytetarët janë futur në ambientet e teatrit dhe kanë ndërprerë gjithashtu një mbrëmje gala që zhvillohej aty.
Ata u futën me bidonë dhe pankarta në duar për të kërkuar rikthimin e ujit, ndërkohë që mbrëmja gala u ndërpre pasi protestuesit refuzuan të linin ambientet e teatrit.
Albania
“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, foli në lidhje me Krishtlindjet dhe mënyrën se si festoheshin ato në kohën e komunizmit, kur feja ishte e ndaluar.
Ai tregoi për një fenomen interesant që ndodhte në ato kohë në zonat e Shkodrës, ku shumë familje katolike shkonin te ato myslimane dhe u kërkonin që ato të përgatisnin ëmbëlsirat dhe gatimet për festën e Krishtlindjes, pasi vetë ato monitoroheshin.
“Shumë familje katolike shkonin te miqtë myslimanë dhe u thoshin që ëmbëlsirat dhe ushqimet tipike t’i përgatisnin ata dhe më pas, në mënyrë të fshehtë, një ose dy ditë para festës, familjet myslimane ua çonin familjeve katolike. Në këtë mënyrë festonin pa rënë në sy. Nuk mund të bënin vetë ëmbëlsira, pasi kjo ishte shenjë se po festoje dhe se nuk i kishe përqafuar mësimet e partisë dhe ateizmin, ku kisha konsiderohej armike e proletariatit. Ishte një natë ku shqiptarët provonin ato copëza aromash lirie, pasi festonin diçka që e kishin identitare, si lidhjen me Zotin. Në këto net, si Krishtlindjet, ishte hera e parë kur njeriu provonte të përtejmen, pavarësisht se unë vetë nuk e kam përjetuar”, tha ai.
-
Albania1 day agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania5 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania5 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
UK1 day agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania6 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK4 hours ago
Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Bota5 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
-
Kosova6 hours agoDalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind
