Një gazetar amerikan që punon për The Wall Street Journal është arrestuar në Rusi pasi dyshohet se është i përfshirë në spiunazh. Lajmin e konfirmoi shërbimi i sigurisë në vend, FSB.
Evan Gershkovich, reporter me përvojë rreth çështjeve të Rusisë, punonte në Yekaterinburg në kohën kur u ndalua.
Wall Street Journal tha se ishte shqetësuar për sigurinë e tij dhe mohoi me forcë akuzat kundër gazetarit. Sipas Kremlinit, ai ishte ‘kapur në flagrancë’.
FSB nga ana tjetër, bëri të ditur se kishte ndaluar ato që i cilësoi si aktivitetet e tij të paligjshme, ndërsa shtoi se reporteri kishte vepruar sipas udhëzimeve të SHBA-së duke mbledhur sekrete shtetërore.
Në artikullin e tij të fundit, për këtë javë, Gershkovich raportonte mbi ekonominë në rënie të Rusisë.
FSB konfirmoi në deklaratën e saj se ai kishte akreditimin e ministrisë së Jashtme ndërsa punonte në Yekaterinburg 1,800 km në lindje të Moskës.
Por shtoi se ai ishte arrestuar teksa vepronte sipas udhëzimeve të SHBA dhe se ai ‘kishte mbledhur informacione që përbënin sekret shtetëror në lidhje me aktivitetet e një ndërmarrje ruse të mbrojtjes’.
Ndërkohë, është nisur një çështje penale për spiunazh nga departamenti i hetimit i FSB-së.