Pesë shtetas bullgarë të dyshuar për spiunazh në ndihmë të Rusisë, do të dalin para Gjykatës së Magjistraturës së Westminsterit, në Britaninë e Madhe.
Pesë të akuzuarit, Orlin Roussev, Bizer Dzhambazov, Katrin Ivanova, Ivan Stoyanov dhe Vanya Gaberova do paraqiten në gjykatë të martën, më 26 shtator.
Sipas BBC, shtetasit bullgarë akuzohen për komplot, pasi dyshohet se kanë mbledhur informacione që do të ishin të dobishme për një armik, nga gushti 2020 deri në shkurt 2023.
Të pandehurit dyshohet se kanë punuar në një qeli operative spiune për shërbimet ruse të sigurisë dhe se kjo punë përfshinte kryerjen e vëzhgimit të objektivave.
Ata akuzohen se kanë punuar në operacione aktive në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë dhe për mbledhjen dhe përcjelljen e informacionit te shteti rus.
Roussev, 45, dyshohet se ka drejtuar operacione nga Britania e Madhe dhe ka vepruar si “urë” me ata që merrnin informacione.
Gjatë kontrolleve në banesat e tyre në Londër dhe Norfolk të zëna nga tre nga të pandehurit, Roussev, 45-vjeç, Dzhambazov, 41 vjeç dhe Ivanova, 31 vjeçe, autoritetet gjetën pasaporta të rreme dhe dokumente zyrtare identiteti për MB, Bullgari, Francë, Itali, Spanjë, Kroaci, Sllovenia, Greqi dhe Republikë Çeke.
Disa nga dokumentet përmbanin fotografi të Roussev dhe Dzhambazov, ndërsa dyshohet se Roussev i ka bërë falsifikimet e dokumenteve vetë.
Grupi akuzohet gjithashtu për organizimin e një operacioni vëzhgimi në Mal të Zi, i cili përfshinte krijimin e kartave false të identifikimit për gazetarët.
Roussev, shkruan BBC, ka një histori marrëdhëniesh biznesi në Rusi. Ai u transferua në MB në 2009 dhe kaloi tre vjet duke punuar në një rol teknik në shërbimet financiare.
Profili i tij në LinkedIn thotë se ai më vonë zotëronte një biznes të përfshirë në inteligjencën e sinjaleve, që përfshin përgjimin e komunikimeve ose sinjaleve elektronike.
Dyshohet gjithashtu se dikur ka vepruar si këshilltar i ministrisë bullgare të energjisë.
Në Harrow, ish-fqinjët e njihini Dzhambazov dhe Ivanova si çift.
Ai njihej si shofer për spitalet dhe Ivanova, nw profilin e saj në LinkedIn, prezantohet si një asistente laboratori, për një biznes privat shëndetësor.
Dyshja, të cilët u transferuan në MB rreth një dekadë më parë, drejtuan një organizatë komunitare që ofronte shërbime për bullgarët, duke përfshirë njohjen e tyre me “kulturën dhe normat e shoqërisë britanike”.
Sipas dokumenteve shtetërore bullgare në internet, ata kanë punuar edhe për komisionet zgjedhore në Londër, të cilat lehtësojnë votimin në zgjedhjet bullgare nga qytetarët që jetojnë jashtë vendit.