Një gjykatë në Bangladesh dënoi me vdekje ish-kryeministren Sheikh Hasina të martën për krime kundër njerëzimit pas një gjyqi që zgjati një muaj, duke e shpallur fajtore për urdhërimin e shtypjes së përgjakshme të protestave studentore vitin e kaluar.
Hasina 78-vjeçare u gjykua në mungesë me akuzat për krime kundër njerëzimit në lidhje me shtypjen e dhunshme të protestave studentore në mesin e vitit 2024.
Ajo është në Indi, ku iku pasi u rrëzua nga pushteti në gusht të 2024-ës.
Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve, një gjykatë speciale në Daka, pritet gjithashtu të japë një vendim për dy nga bashkëpunëtorët e saj – ish-ministrin e brendshëm Asaduzzaman Khan dhe ish-shefin e policisë Abdullah Al Mamun të cilët përballen me të njëjtat akuza.
Daka ka parë një rritje të ndjeshme të sulmeve përpara njoftimit të gjykatës.
Vetëm më 12 nëntor, autoritetet regjistruan 32 shpërthime dhe dhjetëra autobusë u vunë në flakë në pjesë të ndryshme të kryeqytetit dhe rretheve të tjera.
Gjatë fjalimit të tij muajin e kaluar, prokurori kërkoi dënimin me vdekje për ish-kryeministren në mërgim.
Në protestë, partia e Hasinës, Lidhja Awami e Bangladeshit, e cila u shpall e paligjshme nga qeveria e përkohshme, bëri thirrje për një izolim dy-ditor në të gjithë vendin dhe e ka denoncuar gjyqin si të motivuar politikisht.
Situata kaotike u shoqërua me raportime për shpërthime bombash, sulme zjarrvënëse ndaj autobusëve dhe bizneseve dhe protesta në zona të ndryshme, përfshirë kryeqytetin, mbrëmë.
Siguria është forcuar në të gjithë qytetin, thonë autoritetet. Më shumë se 400 ushtarë nga Roja Kufitare paraushtarake janë vendosur në qytet, pikat e kontrollit janë përforcuar dhe tubimet publike janë kufizuar.
Për të kontrolluar situatën, shefi i policisë së Dakës dje urdhëroi policinë të qëllojë këdo që është përfshirë në zjarrvënie ose bombardime.




