Karriera e Arturo Vidal mund të mbyllet në mënyrë dramatike, pasi mesfushori i njohur, i cili ka luajtur për disa nga klubet më të mëdha në Europë, është arrestuar dhe përballet me akuza të rënda. Pas eksperiencave me Bayer Leverkusen, Juventus, Bayern Munich, Barcelonën dhe Interin, Vidal tani është pjesë e Colo-Colo-s në Kili.
Një festë me shokët e ekipit duket se i ka kushtuar shtrenjtë, pasi një grua ka paraqitur një ankesë në polici, duke pretenduar se është droguar dhe përdhunuar gjatë festës.
Sipas burimeve të mediave kiliane, Vidal është ndaluar nga policia në një postobllok, ku është zbuluar se ai po ngiste makinën në gjendje të dehur. Ai dhe disa futbollistë të tjerë, të pranishëm në makinë, janë dërguar në komisariat dhe po hetohen në gjendje të lirë.
Një 22-vjeçare ka denoncuar në polici, duke pretenduar se është kthyer në shtëpi me shenja të abuzimit seksual dhe në gjendje të rënduar psikologjike. Motra e saj beson se ajo është droguar në festë, duke e lënë të pambrojtur ndaj ngjarjeve që pasuan.