Florije Kelmendi Selimi, nëna e reperit Getoar Selimi i njohur dhe me emrin e artit Ghetto Geasy, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Ajo akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, raportojnë mediat në Kosovë.
Efektivët e Policisë së Kosovës kanë zbarkuar këtë të enjte në zyrat e Ministrisë së Mjedisit dhe Infrastrukturës, ku janë arrestuar disa zyrtarë dhe mes tyre dhe nëna e reperit Getoar Selimi, njëherësh vjehrra e prezantueses Marina Vjollca.
Florije Kelmendi Selimi dhe dy zyrtare tjera të kësaj ministrie, dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, sot në Prishtinë është duke kryer hetime ndaj disa personave mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, është shprehur ai.
Aksioni është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë në kuadër të veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje”, konfirmoi Shala, raportojnë mediat në Kosovë.