Një shtetas britanik u dënua me pesë vjet burg pasi u akuzua për spiunazh në vitin 2022, ka zbuluar Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës.
I pandehuri, i identifikuar si Ian J Stones akuzohet se kreu “krimin e marrjes së paligjshme të informacioneve sekrete për aktorët jashtë shtetit”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.
Sipas një artikulli të Wall Street Journal, Stones ka punuar në Kinë për katër dekada me firma të mëdha amerikane si General Motors dhe Pfizer dhe besohet se është rreth 70 vjeç.
Ai krijoi një firmë konsulence për menaxhimin e investimeve me bazë në Pekin rreth 15 vjet më parë, tha WSJ, duke cituar të dhënat e korporatave.
Zëdhënësi i ministrisë kineze, Wang Wenbin tha se gjykata “e kishte gjykuar çështjen në mënyrë rigoroze dhe në përputhje me ligjin”, duke shtuar se Pekini kishte “garantuar plotësisht të drejtat e ndryshme legjitime” dhe kishte rregulluar që zyrtarët britanikë ta vizitonin atë dhe të merrnin pjesë në gjyqin e tij.