Një krizë e mundshme e furnizimit me karburant për avionët po kërcënon trafikun ajror në Europë, duke vënë në pikëpyetje sezonin veror.
Sipas Corriere della Sera, rezervat aktuale të “jet fuel” mund të shterojnë që mes javës së dytë dhe të tretë të majit, përfshirë edhe ngarkesat e fundit të mbërritura nga Gjiri Persik.
Burime të brendshme të Bashkimit Europian, të cituara nga media italiane, paralajmërojnë se situata është më serioze nga sa është bërë publike deri tani. Vetëm dy shtete evropiane thuhet se kanë rezerva emergjente për deri në 90 ditë, ndërsa shumica e vendeve nuk do të mund të përballonin një krizë më të gjatë se 30 ditë. Disa shtete madje mund të kenë autonomi vetëm për 8-10 ditë.
“Rreziku i mungesës së cherosene në Europë ka kaluar nga virtual në real brenda pak ditësh”, ka deklaruar një nga burimet. Ndërkohë, edhe pse zyrtarisht nuk ka njoftime të hapura, disa aeroporte evropiane po përballen prej ditësh me mungesa në furnizim, pa e bërë publike situatën.
Në Bruksel shpresat janë të lidhura me stabilitetin e përkohshëm mes SHBA-ve dhe Iranit, që mund të lejojë rifillimin e trafikut të cisternave përmes Ngushticës së Hormuzit, një arterie kyçe për furnizimin global me naftë dhe derivatet e saj.
Europa importon rreth 43% të nevojës vjetore për karburant avionësh nga Gjiri Persik. Ndërprerja e këtij furnizimi ka shkaktuar rënie të menjëhershme të volumit të disponueshëm, pikërisht në prag të sezonit me kërkesën më të lartë për udhëtime ajrore.
Dokumente të brendshme të siguruara nga Corriere della Sera tregojnë se në disa aeroporte janë vendosur kufizime, si sasi maksimale furnizimi prej 5 mijë kilogramësh për avion, apo ndalim i furnizimit për avionët privatë për t’i dhënë përparësi fluturimeve komerciale.
Situata përkeqësohet nga fakti se rafineritë europiane po operojnë tashmë në kapacitet maksimal, duke e bërë të pamundur rritjen e prodhimit gjatë verës. Nëse nuk mbërrijnë furnizime të reja në maj, pritet fillimisht përdorimi i rezervave strategjike dhe më pas ndërprerje e furnizimit në disa aeroporte.
Sipas burimeve, vendet e Europës Lindore dhe disa shtete të vogla në Perëndim janë më të rrezikuarat.
Italia vlerësohet të ketë rezerva për 30 deri në 60 ditë. Presidenti i Assaeroporti, Carlo Borgomeo, ka deklaruar se furnizimi është i garantuar “të paktën deri në fund të majit”. Megjithatë, shqetësimi mbetet i lartë për mungesën e një strategjie të qartë në nivel europian.
“Na është thënë se rezervat strategjike janë të konsiderueshme, por vetëm një pjesë e vogël i dedikohet karburantit për avionë”, ka theksuar një burim.
Edhe në rast se trafiku në Ngushticën e Hormuzit rifillon, procesi i rikthimit në normalitet do të marrë kohë. Përveç kostove të larta të sigurimit për cisternat, do të duhen javë të tëra për ripozicionimin e tyre dhe transportin drejt Europës. Disa anije të mëdha mund të kërkojnë deri në dy muaj për të mbërritur.
Në këto kushte, alternativa e vetme mbetet furnizimi nga Shtetet e Bashkuara, por mbetet e paqartë se me çfarë çmimi dhe kushtesh do të realizohet.
Në ditët në vijim, institucionet europiane pritet të mbledhin të dhëna të përditësuara mbi rezervat reale të karburantit dhe të hartojnë një plan emergjence. Ky plan do të duhet të përcaktojë qartë mënyrën e shpërndarjes së rezervave dhe masat për zbutjen e krizës.
Nëse situata nuk stabilizohet shpejt, vera e këtij viti mund të shoqërohet me kufizime të ndjeshme në fluturime në të gjithë kontinentin.

