Qendërmbrojtësi shqiptar, Albert Vallçi, e ka fituar Kupën e Austrisë për herën e dytë rresht, ndërsa Red Bull Salzburgu për herën e shtatë në nëntë sezone.
24-vjeçari Vallçi që vitin e kaluar e fitoi edhe kampionatin austriak, luajti për 90 minuta në finalen e madhe të Kupës së Austrisë kundër Austria Lustenau, që përfundoi me fitore të thellë të gjigantit austriak 5:0.
Vallçi në këtë ndeshje dha kontribut të madh në fazën e mbrojtjes, derisa u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 76-të.
Pjesë e Salzburgut është edhe sulmuesi tjetër shqiptar, Mërgim Berisha, i cili nuk u inkuadrua fare në lojë.
Në 12 ndeshje sivjet në të gjitha garat, Vallçi ka asistuar dy herë.
Bundesliga e Austrisë pritet të rinisë kampionatin më 2 qershor. Vallçi e Berisha me Salzburgun zënë pozitën e parë me 24 pikë pas 22 xhirove.