Kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti ka komentuar sloganin e VV-së Krejt dhe Drejt. Thotë se me këtë nuk po mendojnë pushtetin por daljen në votime.
“Për besë nuk ka të bëjë asgjë me ato insinuata ose imagjinata. Ne kur themi drejtë mendojmë të gjithë qytetarët e Kosovës të dalin në referendum sepse kemi bërë koalicionin parazgjedhor dhe rrjedhimisht i kemi shndërruar zgjedhjet në referendum sepse situata është e tillë”, tha Kurti.
“Duhet bërë një prerje në mes të keqpërdorimeve dhe një rikthimi te qeverisja e mirë e pranverës 2020 që zgjati gjithsej 50 ditë”, shtoi ai.
“Nuk ka të bëjë me pushtetin. S’ka të bëjë me pushtetin, Ka të bëjë me qytetarët që të dalin në zgjedhje në referendum mandej krejt duhet të dalin”, tha Kurti.
“Do të ecim drejtë pa devijimet dhe korruptimet”, theksoi ai.
Kurtit iu bë pyetja duke thënë se shumë njerëz e kanë krahasuar këtë veprim si pjesë e ideologjisë komuniste, ndërsa kandidati për kryeministër këtë vepër të VV-së e lidhi me 14 shkurtin – që konsiderohet dita e të dashuruarve.
“Ato janë fjongo të kuqe që i kanë vendosur simpatizantët tanë dhe nuk kanë të bëjnë me ato akuza që na bëhen neve. Të dielën e 14 shkurtit, qytetarët do t’iu drejtohen vendvotimeve është dita e Shën Valentinit, dita e zemrave dhe dita e dashurisë, nuk e di çfarë problemi mund të kenë ata me këtë”, ka thënë Kurti në Dukagjin.