Evropa po kalon aktualisht nëpër pesë fazat e pikëllimit (sipas modelit Kübler-Ross) për vdekjen e aleancës me Amerikën, e mishëruar nga NATO. Gjatë viteve 1940-2024, sfidë ishte mbrojtja “përkrah” Amerikës. Ndërkohë në vitin 2025, dominoi pyetja nëse Evropa mund të mbrohej “pa” të. Këtë vit, pyetja dikur e paimagjinueshme është se si të mbroheshin “kundër” SHBA-së.
Faza e parë dhe e dytë: Mohimi dhe Zemërimi
Evropa jetoi fillimisht në mohim, duke besuar se Donald Trump nuk do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, pas inaugurimit të tij të dytë, shpërtheu zemërimi. The Economist vëren se “arroganca narcisiste që buron nga Uashingtoni e bën të pamundur çdo lloj aleance të qëndrueshme”. Ndjenja e tradhtisë u thellua më tej, kur figura si J.D.Vance e cilësuan Evropën “armikun e brendshëm”.
Faza e tretë dhe e katërt: Negociatat dhe depresioni
Në përpjekje për të shpëtuar atë që kishte mbetur, evropianët tentuan negociatat, duke u dorëzuar para kërkesave për shpenzime ushtarake (3.5 për qind e PBB-së) dhe duke pranuar tarifa të njëanshme. The Economist e përshkruan këtë si një formë “servilizmi”, ku liderët evropianë e quajtën Trumpin “babai” i aleancës. Depresioni pasoi kur u bë e qartë se “lavdet rezultuan të pafrytshme” dhe se Amerika po i trajtonte aleatët si të sakrifikueshëm, veçanërisht gjatë krizës mbi Grenlandën.
Pranimi i dhimbshëm i realitetit
Faza e fundit, pranimi, e gjen Evropën duke e kuptuar se “rendi i vjetër nuk po kthehet”. Edhe vendet dikur besnike ndaj Uashingtonit, ndihen tani si “skllevër të mjerë”. Artikulli përfundon duke theksuar se BE-ja po përgatit “bazukën tregtare”, një mjet anti-presion i projektuar fillimisht për Kinën, por që tani mund të përdoret kundër ish-mikut të saj më të mirë.
The Economist

