Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se 83 mijë fletë votimi të pavlefshme në zgjedhjet e 25 prillit përbëjnë 8 mandate deputetësh që nuk i përgjigjen realitetit. Ai theksoi se PD ka prova brenda dosjeve që ka dorëzuar në KQZ që dëshmojnë se votat u blenë, duke përmendur se 83 mijë vota u shpallën të pavlefshme.
I ftuar në një emision televiziv, duke folur për zgjedhjet e 25 prillit, Alibeaj tha se “me 83 mijë fletë votimi të pavlefshme, kemi së paku 8 mandate deputetësh që nuk i përgjigjen realitetit. Nuk e lexon askush votën e 83 mijë shqiptarëve”.
“Ka prova brenda dosjeve. Ndryshimet kushtetuese që u sintetizuan tek fleta, rezultatin e dinë të gjithë. Janë 83 mijë fletë të pavlefshme, më shumë se 5%, ndërkohë që gabimi njerëzor shkon tek 2%, por në rastin që janë më shumë se 5% çdokush e kupton se ka një lajthim të madh publik që ka ndodhur se u nxitën që të shkonin tek kjo lajthitja. Shifrat janë të tilla që nuk legjitimojnë humbësin apo fituesin. Unë thashë që për këdo lind dyshimi por çfarë është e rëndësishme që 83 mijë shqiptarë, ata u veshën, shkuan, votuan dhe jo për fajin e tyre u shpallën të panumërueshme”, vijoi Alibeaj.
“Fenomeni i blerjes së votës, përdorimi i administratës, emigrantët dhe patronazhistët janë të shtrira të njëllojta në territor. Pse në 3 qarqe jo? Se neni 60 thotë se ke të drejtë ta kërkosh pavlefshmmëri dhe rivotim që masa e pavlefshmërisë është e tillë që ndryshon rezultatin. Pra kjo masë në 9 qarqe cenon ndarjen e mandateve. Po marr Fierin është deklaruar këto shifra, 9 6 dhe 1. Janë të pavlefshme 9 mijë e 300 vota për shkak të faktit se KAS e bëri fletën e votimit me shifra. A nuk kam të drejtë që kjo është shkelje e madhe, që iu është mohuar e drejta e votës, ata janë ngritur ditën e dielë shkuan për të votuar dhe për shkak të trukut të KAS për të vendosur iu mohohet”, tha ai.
Në lidhje me Dibrën që ka mbi 4 mijë vota të pavlefshme, Alibeaj tha se “në bazë të formulës masa dhe ndikimi, nga mandati i tretë tek i katërti do më duheshin 15 mijë vota dhe nuk janë aq të pavlefshme”.
“Opozita është vetëm një segment i rëndësishëm i asaj që quhet proces zgjedhor. E dinim ç’po ndodhte që vitin e kaluar, që kur nisen ndryshimet në Kod Zgjedhor. Në diskutim nuk është vetëm fati politik i PD, por fati politik i shqiptarëve. Mes një interesi të ngushtë të PD, “të futemi, të mos futemi” dhe mes një interesi publik, ne nuk mund t’i linim shqiptarët vetëm. Pse u futem? E dinim që ishim në kushte të pabarabarta, e dinim që do të përdorte administratën”, tha ai./ATSH/