Për të vendosur pikat mbi “I”, Massimilliano Allegri konfirmon largimin e Cristiano Ronaldos nga Juventusi. Në konferencën për shtyp në vigjilje të ndeshjes me Empolin, sigurisht që trajneri u “bombardua” me pyetjet për portugezin dhe ai nuk përdori diplomaci për ta sqaruar.
“Dje Ronaldo më ka komunikuar se nuk ka ndërmend të luajë për Juventusin. Për këtë arsye ai nuk do të grumbullohet për ndeshjen e nesërme. Nuk jam i zhgënjyer absolutisht. Cristiano ka bërë një zgjedhje dhe në jetë gjërat kalojnë. Nga Juvja kanë kaluar Sivori, Platini, Del Piero, Zidan e Bufon. Kampionë të mëdhenj, ky është rregulli i jetë. Megjithatë Juvja është gjëja më e rëndësishme për të arritur rezultate. Kanë kaluar tre vite, ka dhënë kontributin e tij, tani do të largohet dhe jeta vazhdon përpara, si diçka normale’’.
Gjithsesi, trajneri livornez nuk e mohoi aspak që Ronaldo ka dhënë një kontribut të madh për Juventusin teksa ka dhe një mesazh për skuadrën, shkruan Ora News.
“Ronaldo është një kampion i madh dhe ka dhënë një kontribut shumë të madh, I uroj fatin më të mirë në botë ku po shkon të luajë. Edhe për djemtë e skuadrës ka qenë një shembull por tani mendojmë të ecim përpara dhe të marrim 3 pikë me Empolin. Tani pa Cristianon të gjithë duhet të jemi me më shumë përgjegjësi”, përfundoi trajneri i Juventusit.