Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 41-vjeçarit shqiptar ne Greqi, Altin Arapaj. Për mediat greke, ka folur bashkëshortja e viktimës, e cila ka treguar versionin e saj të ngjarjes ndërsa ka hapur rrugët e një tjetër piste hetimore.
Për median greke “STAR”, bashkëshortja e viktimës ka deklaruar se Altin Arapaj ishte në konflikt me autorin e ngjarjes, Mikel Selimaj për një shtëpi luksoze me lokacion në zonën e Loutsës. Shtëpia në fjalë është në pronësi të një shtetasi amerikan dhe e marrë me qira prej vitesh nga një kanadez.
“Largohu, sepse shtëpia është e imja”, i ka thënë autori viktimës, sipas dëshmisë së bashkëshortes së Arapajt.
“Ky burrë e kishte paralajmëruar, i thoshte vazhdimisht ‘largohu sepse shtëpia është e imja, do ta marr unë, je në mes të asgjësë’.
Të hënën, kur humbën gjyqin dhe iu desh të paguanin kompensim, kanadezi e telefonoi dhe i tha: ‘E di çfarë? Meqenëse unë duhet të paguaj këtë kompensim, merr një shumë parash dhe m’u largo nga rruga’. Në fund, ata e shlyen shtëpinë së bashku me vdekjen e burrit tim”, ka deklaruar bashkëshortja e viktimës.
Altin Arapaj është qëlluar me armë zjarri më 22 maj në Rafina të Athinës. Autori i ngjarjes, Mikel Selimaj ka qenë mik i Arapajt, por së bashku kanë pasur disa konflikte që sipas autoriteteve lidhet me përfshirjen e tyre në aktivitetin e paligjshëm të tregtimit të lëndëve narkotike.
Pasi është qëlluar nga Selimaj, Altin Arapaj ka telefonuar bashkëshorten e tij duke i thënë se miku i tij e kishte qëlluar me armë dhe se më pas ishte larguar. Pas telefonatës 36-vjeçarja e kërkoi atë përmes aplikacionit “Find my iPhone”, nga ku më në fund gjeti vendndodhjen e celularit të tij. Ajo e gjeti 41-vjeçarin pa shenja jete në mesin e disa vreshtave në zonën e Rafinës.