Ambasada e Britanisë së Madhe është shprehur e befasuar me vendimin e marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për të shpallur konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në një reagim të Ambasadës Britanike, thuhet se kishin ofruar mbështetje për rekrutimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa teksa po prisnin përgjigje nga KPK-ja, janë befasuar me vendimin e djeshëm.
“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues”, thuhet në reagim
Me këtë veprim, sipas Ambasadës Britanike, KPK-ja e ka humbur një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë.
“Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në këtë reagim.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) të mërkurën në takimin e parë të mbajtur për vitin 2022 mori vendim që të shpallë konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kryeprokurorit aktual, Aleksandër Lumezi i përfundon mandati më 21 prill.
Konkursi për këtë pozitë u vendos të jetë i hapur 15 ditë pas shpalljes së tij, duke filluar nga 17 janari.
Në takimin e djeshëm, KPK-ja po ashtu e themeloi edhe Panelin Vlerësues për poentimin e kandidatëve që aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.