Ambasada e Italisë i është bashkuar deklaratës së Delegacionit të BE-së në Tiranë, ku e konsideron absolutisht të papranueshme dhunën në 30 qershor. Kjo ambasadë thotë se “të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese.”
“Ambasada e Italisë në Tiranë i bashkohet plotësisht deklaratës së sotme të Delegacionit të Bashkimit Evropian. Është me rëndësi të veçantë që qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre të mund ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt. Gjithashtu, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit – të cilat do të monitorohen nga një mision ndërkombëtar i udhëhequr nga OSBE / ODIHR ku marrin pjesë edhe vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian – të mos pengohen. Çdo veprim i dhunshëm ose çdo formë nxitjeje për dhunë, në çdo lloj rrethane, janë absolutisht të papranueshme. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese”, thuhet në deklaratë.
Duke theksuar rëndësinë parësore të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Ambasada e Italisë kërkon nga palët “dialog të hapur dhe të sinqertë sa më shpejt që të jetë e mundur për të kapërcyer situatën aktuale politike dhe për të realizuar reformat e nevojshme.”
“Ambasada e Italisë thekson rëndësinë parësore të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Në mënyrë që Vendi të përparojë në këtë rrugë, është e nevojshme që të gjitha palët të angazhohen në një dialog të hapur dhe të sinqertë sa më shpejt që të jetë e mundur për të kapërcyer situatën aktuale politike dhe për të realizuar reformat e nevojshme. Në këtë kuadër, Ambasada e Italisë u kërkon të gjitha palëve të mbështesin reformën e drejtësisë në vijim dhe fton të gjitha organet dhe institucionet e përfshira të përshpejtojnë zbatimin e saj, veçanërisht duke garantuar emërime sa me të shpejta, në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të jetë plotësisht funksionale. Është gjithashtu e rëndësishme që të gjitha palët të angazhohen në realizimin e reformës zgjedhore dhe të respektojnë shtetin e së drejtës, përfshirë këtu edhe luftën ndaj korrupsionit”, thuhet në deklaratën e Italisë./Top Channel/