Ambasadori amerikan në Serbi, Anthony Godfrey ka thënë se ShBA-ja po ua ofron një shans Kosovës dhe Serbisë për të hapur dyert për investime dhe zhvillim ekonomik.
“Takimi i përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës më 27 qershor në Washington shpërfaqë një shansë për të dy palët për të hapur derën për zhvillim ekonomik dhe investime”, tha ambasadori i ShBA-së në Serbi, duke theksuar se është “qartazi optimist” lidhur me takimin shkruan Danas.
Ambasadori Godfrey tha se shpreson që Kosova dhe Serbia do ta shfrytëzojnë takimin në Washington për t’iu rikthyer dialogut.
“ShBA’ja shpreson që liderët e Kosovës dhe Serbisë do ta shfrytëzojnë këtë shans(takimin në Washington) për t’u rikthyer në dialog dhe për të filluar një epokë të re të qëndrueshmërisë dhe prosperitetit. Njerëzit në këtë rajon nuk meritojnë asgjë më pak se kjo”, tha ai.
Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Avdullah Hoti do të marrin pjesë në takimin e 27 qershorit që do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë.