Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka reaguar lidhur me emërimet në poste politike, derisa ka thënë se njerëzit duhet të përzgjedhen në mënyrë transparente dhe në baza meritore.
Përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar fotografi nga nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me Kryeministrin Avdullah Hoti, ai ka thënë se suksesi i këtij procesi do të jetë suksesi i Kosovës, ndërsa dështimi i proceseve të rekrutimit dhe emërimet që nuk bazohen në merita, do të nënkuptonin dështim për Kosovën dhe institucionet e saj.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të kenë njerëzit e duhur në postet kyçe, të përzgjedhur në mënyrë transparente dhe në baza meritore. Prandaj, sot pata kënaqësinë të nënshkruaj një Memorandum Mirëkuptimi me Kryeministrin Avdullah Hoti, për vazhdimin e projektit tonë për rekrutimet. Siç thashë në ceremoninë e nënshkrimit, suksesi i këtij projekti do të jetë suksesi i Kosovës. Dështimi i proceseve të rekrutimit, dhe emërimet që nuk bazohen në merita, do të nënkuptonin dështim për Kosovën dhe institucionet e saj.