Ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momchil Raytchevski i është përgjigjur interesit të gazetarëve për disa çështje që lidhen me negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE. Ai theksoi se ndaj Shqipërisë, Bullgaria është plotësisht mbështetëse pa kushte ndërsa në lidhje me RMV tha se po zhvillohen bisedime intensive.
“Pozita e Bullgarisë për sa i përket Republikës së Shqipërisë është shumë e qartë, për ne Shqipëria ka kryer atë që është e nevojshme dhe ju jeni gati dhe ne mbështesim që në momentin e parë të vendimit të familjes Europiane, që ju te vazhdoni në këtë familje dhe të zhvillohet konferencave e parë ndërqeveritare”, tha Raytchevski nga Korça.
Sa i përket diskutimeve me Maqedoninë e Veriut, Raytchevski tha se si qeveria e vjetër, po ashtu edhe e reja në Bullgari, gjithmonë ka mbështetur pozitën se Bullgaria është një prej promotorëve dhe mbështetësve më të mëdhenj të zgjerimit në Bashkimit Europian, gjithashtu e për të ardhmen e vendeve të rajonit.
“Kjo që po ndodh është mes Sofjes dhe Shkupit ku po zhvillohen bisedime shumë intensive. Vetëm gjatë muajve të fundit ka pasur disa vizita të ndërsjella, është një proces që ka synim të realizojnë rezultate të qëndrueshme që të dyja palët me partnerët e BE po vazhdojnë të punojnë mbi temat delikate e aktuale. Të gjithë shpresojmë se në një moment do të arrijmë një marrëveshje, është çështje e krimit të mirëbesimit dhe arritjes së mirëkuptimit mbi çështjet e përbashkëta”, tha ai.