Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë janë arsyet pse SHBA-të kanë qenë përkrahëse e hershme, e flaktë dhe e përkushtuar e pavarësisë së Kosovës dhe shtoi se tash mbeten të palëkundur duke mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës.
Këto komente ambasadori Hovenier i ka bërë gjatë pritjes së shumë mysafirëve të ftuar për të shënuar 246-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një ambient të ngrohtë e dekorues, Ambasada Amerikane ftoi shumë mysafirë nga jeta politike, shoqërore e kulturore.
Aty u pa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me bashkëshortin dhe dy vajzat e saj, si dhe kryeministri Kurti me bashkëshorten e tij. Aty ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, drejtues të subjekteve politike, deputetë, ish deputetë, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier tha para të pranishmëve se 246 vjet më parë, 56 përfaqësues nga 13 koloni amerikane u mblodhën në Filadelfia dhe ratifikuan atë që atëherë konsiderohej si një dokument radikal, Deklaratën e Pavarësisë, ku ajo shpalli statusin e kolonive si shtete sovrane të pavarura.
Sipas tij, kjo jo vetëm që ishte hapi i parë në formimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por përshkroi dhe përshkruan aspiratat dhe vlerat e tyre si popull, për të cilat vazhdojnë të përpiqen dhe të punojmë sot.
“Ajo paraqet një citim premtues amerikan: ‘Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë burrat -dhe unë po shtoj në mënyrë redaktuese- dhe të gjitha gratë janë krijuar të barabartë që të janë të pajisur nga krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, siç janë; jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë’. Ky premtim udhëzon edhe politikën e jashtme amerikane, jashtë kufijve tanë dhe kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara kanë qenë një përkrahëse e hershme, e flaktë, e përkushtuar e pavarësisë së Kosovës. Prandaj ne mbetemi të palëkundur, siç kemi qenë gjithmonë dhe duke mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës. Pra, sot, ndërsa ne festojmë 246 vjetorin e Shteteve të Bashkuara si një shtet i lirë, sovran dhe i pavarur, ne gjithashtu festojmë së bashku, 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe përparimin e jashtëzakonshëm që keni arritur në këtë periudhë të shkurtër kohore“, ka thënë ai.