Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier është treguar i prerë duke paralajmëruar për pasoja nëse Prishtina zyrtare do të vijojë të ecë në të njëjtën rrugë, duke mos zbatuar kërkesat e ndërkombëtarëve. Në një intervistë për “Klan Kosova”, Hovenier nuk u ndal në specifika, por tha se është e qartë që rruga e ndjekur nga Kosova, nuk është e duhura për të çtensionuar situatën.
“Siç e thashë, nuk dëshiroj të hyj në specifika, por është e qartë se do të ketë disa pasoja tjera nëse vazhdojmë në këtë rrugë ku Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të të gjithë miqve të saj nga të gjitha vendet që kanë dhe kanë treguar përgjatë më shumë se një apo dy dekadave përkushtimin tonë për të parë Kosovën duke e marrë vendin e saj në Evropë dhe brenda strukturave evropiane dhe euroatlantike”, tha Hovenier.
Ndalur te propozimi i planit me 3 pika të BE, Hovenier tha se ndërkombëtarët janë të habitur se përse nuk ka përgjigje pozitive nga Kosovës. Ai e konsideroi “rast unik” që qeveria e Kosovës të mos i përgjigjet një përpjekje që, sipas tij, ka në fokus interesin e Kosovës.
“Vendet dhe institucionet që kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po i kërkojnë Kosovës, kësaj qeverie, që të ndërmarrë disa veprime specifike dhe të zbatojë këtë planin trepikësh të BE-së. Jemi të habitur, e kemi të vështirë të kuptojmë se përse nuk ka përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë. Kjo është fjala që sapo e përdora. Unë jam i habitur, po përpiqem të kuptoj pse. Është rast mjaft unik që një Qeveri e Kosovës të mos i përgjigjet kësaj përbërjeje të aktorëve, që të gjithë i kanë interesat më të mirë të Kosovës në mendje. Po, jam i habitur, i shqetësuar”, u shpreh Hovenier.
Ai theksoi se rruga për të ecur përpara është zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit dhe për të arritur këtë, sipas Hovenier, duhet fillimisht të kalohet kriza në veri të Kosovës,
“Përsëri, nuk jam i sigurt se a është me vend që një ambasador i një shteti tjetër t’i vlerësojë sukseset dhe dështimet e një kryeministri. Kjo u takon votuesve që ta bëjnë në një kohë të duhur. Mund të ju them se çfarë dua që suksesi më i madh i Kurtit të jetë, dhe kjo është ta shoh Kosovën duke lëvizur shumë afër vizionit për integrimin e plotë në BE dhe NATO, që të bëhet anëtare e Partneritetit për Paqe, që ta shohë aplikimin për Këshillin e Evropës të ecë përpara, të gjitha këto mund të bëhen. Rruga është zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, kjo është rruga dhe për të arritur atje duhet ta kalojmë krizën aktuale në veri”, ka shtuar ai.
Ndalur te propozimi i Ramës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Hovenier tha se është serioz dhe i mirë menduar. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë nga Kosova që ta formojë një Asociacion i cili bie ndesh me Kushtetutën e saj.
“Po, gjëja e parë që do ta thosha është se kam pasur mundësi ta lexoj, por jo në detaje, propozimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që Rama e ka prezantuar, është serioz, është i menduar mirë, por ka shumë ide dhe shumë mënyra se si mund të bëhet. Është një propozim i bërë nga Friedrich Ebert Foundation, që ishte gjithashtu serioz dhe i realizuar me kujdes. Pra ajo që do të thosha është se nuk kemi mungesë të ideve të mira se si mund të bëhet kjo”, ka thënë ai.