Ambasadorja e përhershme amerikane në NATO, Julianne Smith ka kërkuar që të rinisë dialogu Prishtinë-Beograd i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian pasi sipas saj, kjo është rruga e vetme për Kosovën dhe Serbinë.
“Prioriteti numër një është ndërmarrja e masave të menjëhershme nga të dyja palët për të shtensionuar situatën”, tha Smith teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me tensionet aktuale në veri të Kosovës gjatë një konference online për media para takimit të ministrave të Mbrojtjes të shteteve anëtare të NATO-s, që do të mbahet në Bruksel më 15 dhe 16 qershor.
Smith u shpreh se aleatët e NATO-s po përcjellin “me interes të madh dhe me shumë shqetësim” zhvillimet në Kosovë.
Ajo theksoi se SHBA-ja ishte e para që dënoi dhunën kundër ushtarëve të NATO-s. Ndërsa vuri në dukje se SHBA inkurajon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurohet që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, të kryejnë detyrat e tyre nga vendndodhje të tjera.
“Ne besojmë se personat që shkaktuan dhunë duhet të mbahen përgjegjës përmes procedurave ligjore dhe transparente. Ne po ashtu i inkurajomë ata që të tërheqin njësitë policore nga ndërtesat komunale. Por, thelbi i kësaj çështjeje është se – që njëherësh është edhe qëndrimi i gjithë aleancës – dialogu që ndërmjetësohet nga BE-ja është rruga e vetme përpara dhe se ky mesazh i NATO-s u është përcjellë të gjithëve”, theksoi Smith.