Ambasadorja e Kosovës në Shtete e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, emri i së cilës është lakuar me rastin e dhënies së njoftimit për njohjen nga Xhamajka, ka thyer heshtjen, duke i reaguar zëvendëskryeministrit, Haki Abazi.
“Nuk është hera e parë që z.Abazi merret me mua dhe shpif kundër meje. Nuk e kam kuptuar ende pse. Nuk i jam përgjigjur më herët sepse z.Abazi nuk ka mbajtur post publik dhe nuk ka pasur përgjegjësi publike.
Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamajka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Postimi i plotë i Çitakut:
Zëvendës Kryeministri i Kosovës, z.Haki Abazi qenka marrë pak me mua. Më paska quajtur mua dhe Ambasadën në SHBA instrumente në shërbim të Presidentit, e jo të Kosovës.
Nuk është hera e parë që z.Abazi merret me mua dhe shpif kundër meje. Nuk e kam kuptuar ende pse. Nuk i jam përgjigjur më herët sepse z.Abazi nuk ka mbajtur post publik dhe nuk ka pasur përgjegjësi publike.
Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamajka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje.
Çdo gjë do të sqarohet me kohë.
Zv Kryeministrit i them publikisht, meqë asnjëherë, si zv Kryeministër, nuk më ka kontaktuar që ta sqarojë situatën në fjalë, nëse nuk dëshiron të kontaktoi me mua, atëherë le ta kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Për më tepër, është e ditur botërisht që unë jam emëruar Ambasadore përmes çelësit politik, njësoj si shumë Ambasadorë tjerë. Kjo nuk është shkelje apo diçka e jashtëzakonshme. Në fakt, është e rregulluar me ligj. Si Ambasadore, unë i kam shërbyer Kosovës. Kam punuar me nder tërë jetën time. E tillë do të vazhdoj të jem.
Nuk do të lejojë që puna dhe mundi i kolegëve të mi të njolloset e të përbaltet. Është e frikshme kur institucionet baltosen për inate politike e personale.
Jam shumë krenare me punën e kolegëve të mi dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem para shantazhit publik.
E kam thënë edhe më herët, të jem Ambasadore e Kosovës në Ëashington DC është nderi i jetës sime.