Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Sofje, Agneza Rusi-Poposka, sot është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë për takim me drejtoreshën e përgjithshme për Çështje Evropiane, Slavena Gergova, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Siç njofton MPJ bullgare, në takim Gergova “shpreh shqetësimin për sulmin” ndaj Bekir Kadrieskit, bashkëkryetar i Shoqatës së Bullgarëve “Shemeto” në Strugë.
Gergova theksoi gjithashtu nevojën që “autoritetet kompetente në Maqedoninë e Veriut të ndërmarrin veprime të shpejta për hetim dhe administrim efikas të drejtësisë”.
Në takim u theksua se Bullgaria pret rezultate konkrete në lidhje me incidentet e tjera me bullgarët dhe shoqatat e tyre në Maqedoninë e Veriut, thuhet në njoftimin e MPJ-së bullgare.
Shefi i Diplomacisë, Bujar Osmani, sot në një konferencë për media në “Forumin e Prespës për Dialog” në Strugë, kërkoi që të mos nguten me kualifikime në opinion lidhur me çështjen e motiveve rreth rastit të Bekir Kadrieskit dhe të lejohen institucionet ta sqarojnë ngjarjen.