Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka dalë me një mesazh të ri për shqiptarët për zhvillimet në vend. Mesazhi është shpërndarë nga ambasada në rrjetet sociale, ku paqyrohet një bashkëbisedim mbi pjesëmarrjen qytetare.
“Ju jeni ata që sjellin ndryshimin. Kur mbroni të drejtat tuaja, udhëhiqni fushata, dilni vullnetarë në komunitetet tuaja dhe votoni në zgjedhjet tuaja, ju keni ndikim dhe jepni kontribut për një të ardhme ku shqiptarët kanë mundësinë të lulëzojnë”, tha Ambasadorja Yuri Kim gjatë bisedimit mbi pjesëmarrjen qytetare, sfidat me të cilat përballen të rinjtë shqiptarë kur bashkohen me forcën punëtore dhe pjesëmarrjen e të rinjve në proceset demokratike me anëtarët shqiptarë të Rrjetit Rinor Europian të Demokracisë (EDYN) të USAID/Albania.
Presidentja e EDYN, Juela Hamati, drejtoi diskutimin gjatë të cilit Ambasadorja Kim theksoi vlerën e pjesëmarrjes rinore në Shtetet e Bashkuara dhe i nxiti këta të rinj shqiptarë të vazhdojnë të jenë avokatë për një të ardhme më të ndritur e më të zhvilluar në Shqipëri.”, bën të ditur Ambasada Amerikane.