Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje politikës maqedonase t’i votojnë ndryshimet kushtetuese që zgjerojnë të drejtat për minoritetin bullgar.
Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Anxhela Ageler, deklaroi për një nga televizionet vendase se ky është një moment vendimtar për të mirën e qytetarëve.
Me zgjidhjen e këtij ngërçi, Maqedonia e Veriut do të përfitonte shumë nga anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe në komunitetin e gjerë transatlantik.
“Është një synim shtetëror i këtij vendi dhe gati 80 për qind e qytetarëve duan të jenë pjesë e BE-së. Rruga përpara është shumë e qartë dhe sërish shpresoj se liderët dhe funksionarët e zgjedhur, që u zgjodhën për ta bërë punën e duhur për të mirën e qytetarëve të tyre, të bëjnë ato zgjedhje të vështira tani dhe ta çojnë vendin e tyre përpara drejt stabilitetit, prosperitetit dhe mundësive më të mëdha.
Dhe shpresa ime është përsëri se do të shikojmë nga e ardhmja dhe jo në të kaluarën. Dhe pa u ankuar, të fokusohemi në atë që duhet të bëhet. Siç themi ne në SHBA me gjithë respektin e duhur në kontestin politik dhe historik, topi është në fushën tuaj.
Vendimi është i qytetarëve dhe udhëheqësve të këtij vendi të vendosin për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Dhe është shumë e rëndësishme që mënyra e vetme për të shmangur presionet nga çdo qendër evropiane apo liderët e saj, është anëtarësimi në BE. Këto janë pritshmëritë e mia për këtë vend,” deklaroi ambasadorja Ageler për “Vesti plus” në Kanalin 5.
Lidhur me perspektivën e marrëdhënieve me Bullgarinë, ambasadorja Ageler theksoi se është me rëndësi të dihet se që të dy, kryeministri i ri dhe kryeministri i mëparshëm bullgar, kanë treguar se dëshirojnë ta shohin Maqedoninë e Veriut si pjesë të BE-së.
Për fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese është parashikuar një mbledhje më 18 gusht. Aktualisht mungon konsensusi mes qeverisë maqedonase dhe opozitës, madje ministrat nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim, të cilët janë pjesë e koalicionit qeverisës, kanë dorëzuar letrat e dorëheqjeve me kushtin që opozitarët e VMRO-DPMNE t’i votojnë amendimet e kërkuara.