Amerika po zhytet gjithnjë e më thellë në krizën politike. Kanë kaluar 3 ditë dhe qeveria federale nuk është ende funksionale në kapacitet të plotë. Ndasitë mes demokratëve dhe republikanëve lidhur me shëndetësinë vazhdojnë, ndërsa mes tyre nuk ka as negociata, por vetëm akuza. Presidenti Donald Trump përsëriti kërcënimin për pushime masive nga puna.
“Mund të ketë heqje nga puna dhe kjo për faj të demokratëve. Por mund të ketë dhe vendime të tjera. Ne mund të ndërpresim projekte që ata i kërkonin dhe që i kanë për zemër. Mund të ndërpresim përfundimisht”, tha Trump.
Demokratët kundërshtojnë qasjen e presidentit dhe të republikanëve në Kongres, duke theksuar se po kërkojnë që të ruajnë shtresën e mesme dhe të ulët nga shtrenjtimi i përkujdesjes shëndetësore.
“Legjislacioni që Demokratët në Kongres kanë prezantuar së bashku lidhet me një zgjatje të përhershme të kredive tatimore të Aktit të Kujdesit të Përballueshëm për amerikanët e klasës punëtore. Kuptoni se në Partinë Republikane është një projektligj i madh dhe i shëmtuar ku ata miratuan shkurtimet më të mëdha të Medicaid në historinë amerikane, vodhën ushqim nga goja e fëmijëve të uritur, të moshuarve të uritur dhe veteranëve të uritur. Dhe e gjithë kjo u bë në mënyrë që ata të mund të ofronin lehtësime masive tatimore për donatorët e tyre miliarderë”, tha Hakeem Jeffries, lider i demokratëve në Kongres.
Për republikanët në Kongres, nuk ka vend për negociata lidhur me projektbuxhetin e qeverisë federale dhe projektet e presidentit Trump.
“Demokratët kanë marrë një vendim: ata preferojnë t’u japin përfitime të financuara nga taksapaguesit, emigrantëve të paligjshëm sesa t’i mbanin dyert hapur për popullin amerikan për të vazhduar shërbimet jetësore, shërbimet për veteranët, kujdesin shëndetësor dhe ushqimin për gratë, foshnjat dhe fëmijët. Ata do të preferonin të mos i paguanin trupat dhe agjentët në aeroporte dhe ata të Patrullës Kufitare”, u shpreh Mike Johnson, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.
Qindra mijëra punonjës federalë në Shtetet e Bashkuara po qëndrojnë në shtëpi, ndërsa të tjerë punojnë pa pagesë. Disa atraksione federale u mbyllën për vizitorët, ndërsa të tjera, përfshirë Statujën e Lirisë, mbetën të hapura. Kur Kongresi nuk arrin ta mbajë qeverinë amerikane të hapur, drejtori i Zyrës Amerikane të Menaxhimit dhe Buxhetit punon me presidentin për të zgjedhur se cilat aktivitete qeveritare duhet të ndalen dhe cilat janë thelbësore.