Konstantin Kosachev ndodhet prej tre vitesh në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Diplomati rus, i cili përgatiti raportin prej nga buroi ngritja e Gjykatës Speciale në Hagë, dyshohet për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në ShBA. I ndëshkuar mbi dyshimet për ndërhyrje në zgjedhje është edhe Oleg Deripavska, oligarku i afërt me Vladimir Putinin.
Në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga viti 2018 figuron i pranishëm një emër i njohur në Kosovë: Konstantin Kosachev.
Diplomati rus, i cili në vitin 2008 inicioi në Këshillin e Evropës një rezolutë mbi krimet e pretenduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e Kosovës, ndodhet në mesin e 24 shtetasve rusë ndaj të cilëve Ministria e Financave të ShBA-ve vendosi sanksione të ashpra më 6 prill të 2018-s.
Kosachev, një senator i kahershëm i Parlamentit të Rusisë, dhe 23 të ndëshkuarit e tjerë nga ShBA-të dyshohen për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në ShBA dhe “veprimtari të tjera keqdashëse”. Sanksionet parashohin ngrirjen e pasurive të tyre në SHBA dhe një ndalesë të të bërit biznes me qytetarët amerikanë.
Për pretendimet e ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale në ShBA, një agjent britanik identifikoi përfshirjen e Konstantin Kosachevit teksa po hulumtonte lidhjet ruse të ish-presidentit Donald Trump gjatë fushatës elektorale të 2016-s.
Ish-spiuni britanik, Christopher Steele, në dosjen e tij përgatitur për çështjen Trump, raporton se Kosachev ishte përfaqësues i Kremlinit në një takim sekret të mbajtur në fund të verës së vitit 2016 me avokatin e Donald Trump.
Takimi, sipas agjentit britanik, ishte mbajtur për të diskutuar mbi fshehjen e provave të ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë për t’i ndihmuar manjatit amerikan në garën ndaj Hillary Clinton. Sikurse Kosachev, ashtu dhe avokati Michael Cohen, kanë mohuar ekzistencën e këtij takimi.
Masat ndëshkuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Kosachevit, janë ende në fuqi. Aktualisht, përveçse shërben si senator në Parlamentin e Federatës Ruse, Kosachev mban edhe pozitën e kryesuesit të Komitetit për Punë të Jashtme në parlament.
Në mesin e 24 të ndëshkuarve me sanksione nga SHBA-të është edhe Oleg Deripavska, një manjat rus i industrisë së aluminit. Depiravska, i afërt me pushtetin e Vladimir Putinit në Federatën Ruse, në të kaluarën ka zhvilluar aktivitete të dyshimta në Mal të Zi, shtetin fqinj të Kosovës.
I vendosur në listën e zezë të SHBA-ve në të njëjtin vendim me Kosachevin, miliarderi rus po ashtu dyshohet për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Emri i tij është përmendur si i dyshuar në hetimet e zhvilluara nga këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller, në lidhje me përfshirjen ruse në zgjedhjet e 2016-s në SHBA.
Oleg Deripavska, konsiderohet përgjegjës për falimentimin e fabrikës për prodhimin e aluminit në Mal të Zi, KAP. Manjati rus, si pronar i kompanisë CEAC, kishte privatizuar ndërmarrjen malazeze KAP në vitin 2010. Katër vjet më vonë, ndërmarrja kishte falimentuar.
Falimentimi i fabrikës kishte përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, me Deripavskan që kishte kërkuar dëmshpërblim në vlerë prej 600 milionë euro nga Mali i Zi. Në vitin 2019, Mali i Zi kishte fituar kontestin me Deripavskan.
“Raporti i ndyrë” i diplomatit rus kundër UÇK-së
Emri i Konstantin Kosachevit nuk ishte përmendur shpesh në Kosovë.
Nismëtari i një dokumenti që më vonë u njoh si “Raporti i Dick Martyt”, ishte përmendur vitin e kaluar si përgjegjësi kryesor për inicimin e këtij raporti nga kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, asokohe në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme.
Në një intervistë në televizionin RTV Dukagjini më 24 prill të vitit të kaluar, Konjufca tregon se si duke hulumtuar në arkivat e Këshillit të Evropës, pjesëtar i së cilit ishte përgjatë viteve 2011-2015, kishte mbledhur fakte mbi nismën e një mocioni për “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve” gjatë luftës në Kosovë. Iniciuesi i mocionit mbante autorësinë e Konstantin Kosachev.
“Në arkiv e kam gjetur mocionin i cili është dorëzuar në Komitetin Juridik dy javë pas publikimit të librit të Carla Del Pontes. Mocionin e kishte dorëzuar Konstantin Kosachev”, kishte deklaruar Konjufca.
Konjufca, një studiues i Raportit të Dick Martyt, e cilësonte këtë raport si “të ndyrë, me shprehje raciste për shqiptarët” dhe të buruar nga Konstantin Kosachev.
Si përfaqësues i Federatës Ruse në Këshillin e Evropës, Kosachev kishte iniciuar rezolutën për “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve.” Propozimi i deputetit rus ishte përkrahur nga deputeti serb në KE, Milos Aligrudiq dhe 15 deputetë të tjerë, shumica prej të cilëve nga Evropa Lindore.
Komisioni për Çështje Juridike dhe të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, pas pranimit të mocionit nga Kosachev, kishte emëruar Dick Martyn si raportues, një eksponent i hapur kundër bombardimeve të Serbisë në vitin 1999 dhe kundër shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës në vitin 2008.
Senatori zviceran, Dick Marty, e kishte marrë rezolutën e hartuar nga Kosachev në vitin 2010 dhe e kishte publikuar raportin e plotë në emër të Këshillit të Evropës një vit më vonë.
Bazuar mbi raportin e ish-senatorit zviceran dhe me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, Kuvendi i Kosovës miratoi më 2016 themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihet si Gjykata Speciale. Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.
Gjykata ka mandat për krimet e pretenduara ndaj njerëzimit, për krimet e luftës dhe veprat tjera penale që ndërlidhen me pretendimet nga raporti i Dick Martyt, e të cilat pretendohet që janë kryer në periudhën prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
E themeluar pesë vjet më parë, Gjykata Speciale ka arrestuar dhe ngritur aktakuza ndaj tetë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I arrestuari i parë, më 24 shtator të vitit të kaluar, ishte Salih Mustafa, njëri prej themeluesve të UÇK-së në Zonën e Llapit. Një muaj më vonë, gjykata urdhëroi arrestimin e dy krerëve të OVL së UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Ndërkaq në nëntor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti një aktakuzë ndaj katër krerëve të lartë të UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli. Rreth tri javë më parë, në Qendrën e Paraburgimit të Hagës u transferua edhe Pjetër Shala, një ish-pjesëtar i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit.