Amerika mund të mësojë nga Britania

albnews
By
8 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Në vend që të përfshihen në luftëra kulturore kundër emigracionit dhe ta njollosin Britaninë si një rast studimi në “fshirjen e qytetërimit”, Donald Trump dhe ndjekësit e tij do të bënin mirë të shqyrtonin se si u përball Britania me humbjen e epërsisë së saj globale. Asnjë vend tjetër në historinë e afërt nuk e përfaqëson më mirë të ardhmen e mundshme të Amerikës.

Nga Harold James

Kur bëjnë paralajmërimet e tyre për “fshirje qytetërimi” të Perëndimit, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe zv/presidenti, JD Vance, shpesh i referohen Mbretërisë së Bashkuar, dhe veçanërisht Londrës, për të mbështetur argumentin e tyre. Por, megjithëse Britania e Madhe ofron vërtet një histori paralajmëruese, ajo nuk është ajo çka lëvizja MAGA ka në mendje. Në vend që të përfshihen në luftëra kulturore kundër emigracionit, Trump dhe ndjekësit e tij do të bënin më mirë të analizonin se si Britania u përball me humbjen e epërsisë globale. Asnjë vend tjetër në historinë e afërt nuk ofron një parashikim më të qartë të së ardhmes së mundshme të Amerikës.

Marrëdhënia anglo-amerikane ka qenë vazhdimisht interesante. Që nga shekulli XIX, politikanë dhe aristokratë britanikë të varfër shpesh e ruanin statusin e tyre duke u martuar me para amerikane. Britanikët përdorën Botën e Re për të rigjallëruar atë të vjetrën, por gjithmonë ndjenin bezdi për varësinë e tyre të re. Të dy vendet mbetën aleatë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, por marrëdhënia kurrë nuk ishte pa tensione. Britanikët, me një lloj përbuzjeje aristokratike, e shihnin veten si athinasit dinakë, ndërsa amerikanët si pasardhësit e pagdhendur romakë. Ndërsa amerikanët ndërtonin perandorinë e tyre të re, ata filluan të mos i pëlqenin përpjekjet britanike për t’u kapur pas rendit të vjetër.

Paundi britanik dikur ishte monedha dominuese e botës dhe më pas nuk ishte më. Megjithatë, edhe në vitet 1960, Thesari i SHBA-së mendonte se Britania ende siguronte mbrojtjen periferike të dollarit amerikan. Pastaj erdhi zhvlerësimi i paundit në vitin 1967, që shënoi fillimin e fundit të standardit të dollarit për pjesën tjetër të botës.

Udhëheqësit amerikanë, madje, huazuan gjuhën britanike për të trajtuar shqetësimet e tyre mbi monedhën. Pasi kryeministri britanik Harold Wilson tha para një publiku televiziv se zhvlerësimi nuk do të ndikonte në vlerën e “paundit në xhepin tuaj”, presidenti amerikan Richard Nixon u tha qytetarëve të tij se “nëse jeni ndër shumicën dërrmuese të amerikanëve që blejnë produkte të prodhuara në Amerikë, dollari juaj nesër do të vlejë po aq sa vlen sot”. Asnjëra deklaratë nuk ishte e vërtetë. Në fakt, rënia e vlerës së monedhës ishte pararendëse e krizës së ardhshme të inflacionit.

Në një kohë kur pjesa tjetër e botës po kërkon alternativa ndaj dollarit amerikan, rënia e Britanisë ofron një tjetër paralelizëm. Ashtu si administrata Trump, Britania u përpoq të gjente vende që ende dëshironin të rreshtoheshin politikisht me të. Pas vitit 1945, dy vende të tilla ishin Egjipti dhe Argjentina, të cilat mbanin rezerva të mëdha në paund, por shpejt u lodhën duke qenë të lidhura me një hegjemon në dobësim. Po kështu, Trump po përpiqet të ruajë fuqinë amerikane përmes Bordit të tij të Paqes me përbërje të pazakontë (i cili në masë të madhe përfshin regjime autoritare që shohin përfitime nga lajkatimi i presidentit).

Siç ndodh shpesh, dobësia kryesore e një fuqie në rënie është fiskale. Vetëm pak vite më parë, qeveria jetëshkurtër në Mbretërinë e Bashkuar e Liz Truss tregoi se si uljet e taksave të pafinancuara (ose rritjet e shpenzimeve) mund të tronditin tregjet e obligacioneve, të kërcënojnë fondet e pensioneve dhe të prodhojnë një rritje të paqëndrueshme të kostos së huamarrjes qeveritare. Tani, tregjet po shqetësohen gjithnjë e më shumë për perspektivën e deficiteve të vazhdueshme që mund të rrisin kostot e huamarrjes së SHBA-së.

Amerikanët mund të nxjerrin mësime edhe nga proteksionizmi i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 1970, të shënjuara nga stagflacioni. Në atë kohë, Partia Laburiste e majtë (dhe ekonomistët që e mbështesnin) argumentonte se, nëse qeveria do të shpenzonte më shumë, ajo mund të rriste investimet, të përmirësonte produktivitetin dhe kështu të ulte inflacionin për t’i bërë mallrat më të përballueshme. Ky ishte një iluzion i plotë, që çoi në përshpejtim, e jo në ulje, të inflacionit. Megjithatë, sot dëgjohet i njëjti argument nga këshilltarët e Donald Trump, të cilët këmbëngulin me vetëbesim se revolucioni i inteligjencës artificiale dhe investimet masive në qendrat e të dhënave do ta rrisin aq shumë produktivitetin saqë inflacioni do të bjerë dhe deficitet fiskale do të zhduken.

Sërish, ata do të bënin mirë t’i referoheshin historisë ekonomike. Vendimi i Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian solli një dekadë pasigurie, me debate të pafundme mbi rregullat e origjinës në një botë me zinxhirë furnizimi kompleksë, si dhe mbi përjashtimet për mallra thelbësore ose të pazëvendësueshme. Pasiguria e thellë dhe e vazhdueshme që kanë sjellë tarifat e Trump-it mund të ketë një efekt edhe më të madh dhe më të dëmshëm mbi ekonominë amerikane sesa pati Brexit-i në Britani.

Përvoja britanike ofron gjithashtu mësime politike. Skandali i Jeffrey Epstein ka një shtrirje ndërkombëtare, por pasojat e tij, ndoshta çuditërisht, janë ndjerë më fort në Britani. Skandali kërcënon të rrëzojë si monarkinë – për shkak të përfshirjes së atëhershme të Princit Andreë dhe pyetjes se kush ishte në dijeni të kësaj – ashtu edhe kryeministrin aktual, i cili emëroi si ambasador në SHBA një ish-ministër me lidhje të thella me të dënuarin për krime seksuale. Deri tani, politika amerikane – ku tentakulat e Epstein-it kanë arritur më thellë – duket më pak e cenueshme. Por, ashtu si historia tregtare, ky është një skandal me pasoja që thjesht do të shumohen me kalimin e kohës.

Për më tepër, skandali është më shumë sesa një lajm tabloidesh, sepse sugjeron një kalbëzim më të thellë. Britania dhe SHBA-ja e përballuan në mënyrë të shkëlqyer shekullin XX falë sistemeve të tyre dypartiake. Ato nuk u desh të përballeshin me pazaret e vështira që kërkohen në sistemet shumëpartiake për të formuar qeveri koalicioni. Por çfarë ndodh kur të dyja partitë humbasin besueshmërinë? Në Britani, skandali ka kontribuar në ngritjen e një partie të jashtme që e merr forcën e saj nga falimentimi i status quo-së. Tani që MAGA ka marrë kontrollin e Partisë Republikane dhe Demokratët janë thellësisht të përçarë midis centristëve dhe të majtëve, shpërbërja e sistemit partiak britanik ofron një pamje përfundimtare paraprake të së ardhmes së Amerikës.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project SyndicateBritish Lessons About American Decline

Share This Article